Adriatik Balla 22.08.2015 12:55
Tirana e sezoneve të fundit ka qenë një zhgënjim i madh dhe këtu duket se fajtorë ishin të gjithë, por më së shumti Bashkia, e cila nuk e menaxhoi si duhet pjesën e saj dhe, për pasojë, klubi bardheblu nuk ia doli të fitojë as trofe e as të jetë pjesëmarrës në Ligën e Evropës.
Sidomos zhgënjyes ishte dhe sezoni i kaluar, ku Tirana humbi në të gjitha frontet dhe për të do të ketë qenë tronditës fakti se humbi dy dhe barazoi dy nga përballjet me Partizanin, rivalin e vet historik. Pas një sezoni pa Evropën, tek Tirana i kanë bërë gjërat pa nxitim dhe me kujdesin për të mos gabuar.
Në “shtëpinë” bardheblu uria për trofe është maksimale por mbetet për të parë nëse këtë sezon ambiciet do të përkojnë me talentin dhe forcën në dispozicion të një strategu me eksperiencë si Shkëlqim Muça. Pa fantazinë e Bakajt dhe me një sulm krejtësisht të ndryshuar ku do të jenë Gilberto Fortunat, Fukui dhe Gilman Lika në vend të Bushiç, Morinës e Ndikumanës.
Megjithatë, 24 herë kampionët shpresojnë të gjejnë ritmin e duhur përballë debutuesve të Tërbunit, në takimin që do të luhet të dielën, duke nisur nga ora 17:00, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, pasi klubit pukjan i duhet ende punë për të përmbushur kushtet në impiantin e shtëpisë.