AlbanianSport.com 21.12.2014 21:05
ASNN – Me fitore e ka mbyllur sot vitin edhe Tirana e cila ka mposhtur 4-2 Teutën në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Në një ndeshje spektakolare dhe me gola, të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ata që triumfojnë janë bardheblutë kryeqytetas, të drejtuar nga trajnerit Gugash Magani. Me rikthimin e tifozëve në stadium, Tirana duket një skuadër e transformuar.
“Bardheblutë” e nisin sfidën menjëhërë duke sulmuar dhe Ndikumana është protagonist. Futbollisti shmang bukur 2 mbrojtësa të Teutës, shmang edhe portierin Rizvani por goditja e tij është e lehtë dhe mbrojtësit durrsakë e heqin topin nga vija fatale. Pikërisht në momentin më të mirë të durrsakëve, Tirana zbret në kundërsulm dhe Morina pason për Bakajn i cili i vetëm përballë portës, nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë.
Gëzimi i kryeqytetasve nuk zgjat më shumë se 2 minuta. Pas një rrëmuje në zonë, Hyseni del i vetëm përballë Frashërit dhe me një parabël kalon topin në rrjetë.
Kur pjesës së parë po i afrohej fundi, në minutën e parë shtesë, Morina pengohet në mënyrë të parregullt brenda zonës nga Krasniqi dhe gjyqtari akordon 11-metërsh. Goditjen e mer përsipër vetë Morina i cili nuk gabon dhe rikthen Tiranën në epërsi. Në shifrat 2-1 mbyllen edhe 45 minutat e para. Pjesa e dytë nis mjaft mirë për Teutën pasi gjen menjëherë golin e barazimit. Pas një aksioni nga e djathta, hidhet një top në zonë i cili gjen këmbët e Bruno Ditës i cili nuk e ka aspak të vështirë ta dërgojë në rrjetë.
Tirana reagon dhe, në minutën e 70-të, përpjekjet e bardhebluve shpërblehen me gol. Kagere del i pambuluar nga mbrojtësat durrsakë dhe me portën bosh nuk e ka të vështirë të kalojë topin në rrjetë. Teuta mundohet të reagojë por e ka të vështirë të dalë përpara. Për të vulosur përfundimisht fitoren e Tiranës mendon sërish Elis Bakaj në të 89-tën duke mposhtur për herë të katërt Rizvanin.