AlbanianSport.com 02.11.2014 22:05
ASNN – Sikundër ishte paralajmëruar, tifozët e Kombëtares shqiptare kanë protestuar të dielën para selisë UEFA-s për vendimin, sipas tyre, aspak të drejtë të saj për ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Një numër i konsiderueshëm i tifozëve me flamuj kombëtar e pankarta janë mbledhur para zyrave të organizmit që qeveris futbollin evropian, të cilat ndodhen në Nion. Ata kanë kërkuar drejtësi për fatin e ndeshjes Serbi-Shqipëri, që UEFA kohë më parë vendosi t’ia dhurojë Serbisë.
Tifozët gjithashtu pilotuan një “mini-helikopter” me flamurin kombëtar, duke imituar atë që u lëshua në sfidën e ndërprerë të 14 tetorit në Stadiumin e Partizanit të Beogradit.
Beteja ligjore për të fituar drejtësinë në këtë çështje vazhdon, me apelimin e vendimit në Apelin e UEFA-s, e që më pas, me të gjitha gjasat, do të shkojë edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë.
Protesta në Nion është organizuar nga Tifozët Kuqezi, kundër vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së UEFA-s, që, sipas tyre, jo vetëm diskriminoi dhe penalizoi shqiptarët, por favorizoi nga ana tjetër dhunën dhe racizmin e shprehur nga serbët në Beograd.