AlbanianSport.com 30.10.2014 15:20
ASNN – Do të vazhdojnë protestat kundër vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës të UEFA-s, për ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, të vlefshme për eliminatoret e kampionatit evropian “Francë 2016”. Një protestë masive mbarëshqiptare, do të bëhet në datën 2 nëntor përpara selisë së Qeverisë së Futbollit Evropian, në Nion të Zvicrës.
Nisma për protestë është ndërmarrë për të kërkuar të drejtat paqësisht, kundër një vendimi që konsiderohet si i padrejtë. Sipas të dhënave paraprake, pritet që numri i protestuesve të jetë i konsiderueshëm edhe në Nion, përpara selisë së UEFA-s, ku do të vijnë shqiptarë nga shumë shtete të Evropës.
Ata do të shprehin edhe njëherë indinjatën për vendimin e organizmit që qeveris futbollin evropian, dhënë në dëm të kombëtares shqiptare, siç ishte humbja në tavolinë 0-3 e ndeshjes me Serbinë. Pas vendimeve të UEFA-s, dhënë në 24 tetor, u zhvilluan disa protesta në Zvicër, Tiranë e Prishtinë, ku numri i pjesëmarrësve nuk ishte i madh.
Por, gjithsesi, indinjatat më së shumti të sportdashësve shqiptarë, janë shprehur nëpërmjet rrjeteve sociale, ndaj protesta e 2 nëntorit pritet të jetë më e madhja e deritanishme.