AlbanianSport.com 07.12.2014 16:50
ASNN – Tifozët vendës të Shkumbinit, pasi kanë dhunuar psikologjikisht futbollistët dhe trajnerët e Sopotit gjatë ndeshjes Shkumbini-Sopoti 1-2, pak minuta pas saj nuk kanë “kursyer” as dhunën fizike për ta. Sipas burimeve zyrtare, pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Gentjan Stojku dhe zv/trajneri Elton Ceno të Sopotit të Librazhdit janë goditur nga tifozët vendës, duke përfunduar të dy në spital.
Incidenti, i shoqëruar me dhunë barbare ndaj trajnerëve të Sopotit, ka ndodhur në mjediset e spitalit të Peqinit, atje ku futbollistët dhe trajnerët librazhdas kishin shkuar për të ndjekur ecurinë e gjendjes shëndetësore të shefit të KF Sopoti, Nesti Binishtit, i cili kishte pasuar një përkeqësim të papritur shëndetësor. Pas ngjarjes kanë ndërhyrë edhe forcat e policisë, duke shoqëruar edhe disa nga tifozët të dhunshëm.
Ndërkohë që anëtarët e tjerë të Sopotit janë marrë në mbrojtje nga efektivët e komisariatit të policisë së Peqinit deri në normalizimin e situatës. Trajnerët e dëmtuar janë transportuar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit për mjekime më të specializuara për shkak të dëmtimeve në kokë, ndërsa ndodhen fatmirësisht në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas ndihmëstrajnerit Elton Ceno, ai dhe trajneri Stojku janë sulmuar barbarisht dhe pa asnjë shkak dhe për shkak të dëmtimeve të pësuara ata janë mjekuar dhe i janë nënshtruar disa ekzaminimeve të rëndësishme mjekësore .Ekipi i Sopotit është një nga pretendentet e kryesore e grupit B në Kategorinë e Parë për të kaluar vitin e ardhshëm në Superiore.
Librazhdasit renditen të parët me 16 pikë të grumbulluara në 9 ndeshje të luajtura, ndërsa Shkumbini ndodhet në vend të fundit.