AlbanianSport.com 28/05/2019 17:25
ASNN – Përfaqësueses së Brazilit i është bashkuar edhe Tiago Silva. Mbrojtësi i Paris SG-së është shprehur i lumtur që do të luajë sërish një veprimtari të tillë, sidomos në shtëpinë e vet. Kupa e Amerikës është e veçantë dhe ai ndihet i privilegjuar që do të marrë pjesë në të.
Mbrojtësi brazilian i skuadrës pariziene, ka mbërritur në kompleksin sportiv “Granja Comary”, pranë Rio de Zhaneiros, ku përfaqësuesja e futbollit të Brazilit po përgatitet për Kupën e Amerikës. “Unë kam privilegjin të marr pjesë edhe një herë në një veprimtari që luhet në shtëpi, – ka deklaruar ai.
“Kam luajtur jashtë Brazilit për 10 vjet, kështu që kur luajmë në shtëpi, gjithmonë është shumë e veçantë, – ka vijuar mbrojtësi. – Ndihem shumë i privilegjuar që do të marr pjesë në këtë Kupë Amerike.” Tiago Silva është një nga pikat e forta në mbrojtjen e Brazilit prej disa vitesh.
Që javën e kaluar, kombëtarja e Brazilit është grumbulluar në “Granja Comary”, e nën drejtimin e trajnerit Tite po kryen seanca stërvitore në prag të Kupës së Amerikës që zhvillohet në vendin e tyre. Një ditë më parë, përfaqësueses braziliane i është bashkuar edhe Nejmari, u cili e ka lënë pas tashmë dëmtimin dhe ndihet në 100% të formës së tij.