Jo vetëm kaq, por janë shumë emra lojtarësh dhe trajnerësh, të cilët kanë bërë lavdinë e këtij klubi, që gjithsesi nuk e meritonte të lëngonte në këtë mënyrë. Sot nuk është në shtëpinë e tij. Sot nuk ka më një siguri për financat, që sigurisht pas largimit të ish-presidentit Besnik Sulaj më 2011-ën (është koha më e artë e Dinamos me të, sepse mori tre tituj “kampion” më 2001-2002, 2007-2008 dhe 2009-2010) dhe njëkohësisht rënies në Të Parën janë minimizuar. Sot vuan për të gjetur futbollistë cilësor, të cilët do ta marrin përdore këtë skuadër për ta çuar në elitën e futbollit shqiptar.
Dhe kur të gjithë ata që kanë bërë historinë e kësaj skuadre janë larguar dhe nuk marrin kurajën për ta ngritur zëri se Dinamo, ajo që ka qenë një ndër furnizuesit kryesorë të ekipeve kombëtare, duhet çuar në Superiore dhe duhet të jetë përsëri e fortë, një zë vjen nga larg Shqipërisë. Dhe ky është Eduard Abazi, ish-sulmuesi i Dinamos dhe kombëtares shqiptare. Pikërisht në një letër drejtuar të gjithë dinamovitëve, që është shpërndarë nëpërmjet “Facebook”-ut, Abazi i ka bërë thirrje të gjithë: “Shpëtojeni Dinamon!”.