AlbanianSport.com 13.07.2015 12:35
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare, Prokuroria e Përgjithshme e Zvicrës zbuloi edhe 28 raste të reja për pastrim parash, gjatë procesit të përzgjedhjes së Rusisë dhe Katarit si organizatorë përkatës të Botërorëve 2018 dhe 2022. Lajmi u konfirmua për agjencinë franceze të lajmeve AFP, nga vetë drejtuesit e prokurorisë helvete.
“Në zyrat e prokurorisë kanë ardhur 28 raste të reja dhe të gjitha lidhen me hetimet që po kryhen për Botërorët e viteve 2018 dhe 2022”, – tha zëdhënësi i këtij institucioni, Andre Marti. Prokuroria e Zyrihut do të marrë në pyetje, në cilësinë e dëshmitarit, 8 anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Në dhjetorin e vitit 2010, ata kanë marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së kandidaturave të Rusisë dhe Katarit dhe që aktualisht janë ende pjesë e qeverisë së futbollit botëror.
Mësohet se përveç Blatter, do të pyeten edhe Presidenti i Federatës Spanjolle, Anhel Maria Vijar, ai i Konfederatës Afrikane, Isa Hajatu, kreu i futbollit belg, Mishel, D’Hëg, Vitali Mutko, anëtar i Komitetit Ekzkekutiv të FIFA-s dhe Ministri Rus i Sporteve. Prokurori Mikael Lëber deklaroi se, hetimet priten të jenë të gjata, për shkak se ato janë të ndërlikuara, si dhe për shkak të volumit të madh të të dhënave.
Ai shtoi se mund të kërkohen shumë vite kohë, por që do të arrihet në një përfundim. Interes për këto hetime që kryhen nga drejtësia zvicerane ka shfaqur edhe Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Loreta Linc, e cila ka kërkuar bashkëpunim me autoritetiet helvete për hetimet për korrupsion që po kryhen edhe në vendin e saj.