AlbanianSport.com 22/12/2018 18:55
ASNN – Kategoria Superiore po vijon të prodhojë emocione. Pas disfatës së Skënderbeut nga Kamza (0-1), që ishte dhe “çudia” më e madhe e javës së 18-të, të shtunën niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit nuk prodhoi surprizë, por një rezultat që vetëm sa shton rivalitetin në grupin e skuadrave të kreut dhe e bën betejën mjaft të vështirë dhe me befasi në renditje. Ndeshja midis Teutës dhe Laçit, e luajtur në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit përfundoi në barazim 1-1.
Me pak fjalë, të dyja skuadrat morën nga një pikë dhe ruajtën poziciuonet e tyre në klasifikim. Për mënyrën sesi shkoi ndeshja, të dy ekipet mbetën të kënaqur, sepse morën një pikë dhe ajo që e bën më të arsyetuar rezultatin, është se nuk dolën të humbura dhe mbajnë hapur garën për titull. Ndeshjen e vendosën taktikat e skuadrave. Në pjesën e parë ishin kurbinasit që tentuan befasinë dhe ia dolën, pasi Ndriçim Shtubina shënoi në minutën e 38-të.
Ky gol e tronditi Teutën, e cila u gjend e papërgatitur. Javët e fundit Teuta ka pasur ecuri mbresëlënëse dhe kishte krijuar vetëbesim që i jepte siguri për të mposhtur çdo kundërshtar. Por me Laçin ka hasur vështirësi edhe skuadrat e tjera rivale. Laçi është ekipi më i vështirë për t’u mundur këtë sezon të Superiores, ky është padyshim fakt. Në pjesën e dytë Teuta e rriti ndjeshëm volumin e lojës dhe krijoi shumë raste. Bëri maksimumin e saj për të arritur përmbysjen.
Por në fund u kënaq me një pikë, sepse realizoi vetëm golin e barazimit. Dhe atë ia doli falë një “Sherifi” , i cili ka shkëlqyer javët e fundit, duke spikatur si një prej talenteve të rinj të kampionatit tonë. Bëhet fjalë për Sherif Kallakun, i cili rezultoi përcaktues edhe në ndeshjen e sotme, duke shënuar golin e barazimit 1-1 dhe i dha Teutës një pikë me vlerë nga kjo përballje. Barazimi bëri që Teuta të qëndrojë në vend të dytë por tani me 33 pikë.
Vetëm 3 më pak se Partizani kryesues, por të kuqtë kanë një ndeshje për të luajtur të dielën në Gjirokastër. Ndërkohë, Laçi mori një pikë nga barazimi i sotëm në Durrës dhe shkoi në 30 pikë, por mbetet në vend të pestë, me pikë të barabarta me Skënderbeun e vendit të katërt.
Kategoria Superiore
Java e 18-të
Të premten, 14 dhjetor 2018:
Kamza – Skënderbeu 1-0
Tirana – Flamurtari 1-0
Të shtunën, 15 dhjetor 2018:
Teuta – Laçi 1-1
Të dielën, 16 dhjetor 2018:
Luftëtari – Partizani (13:30)
Kukësi – Kastrioti (13:30)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 17 11 3 3 18-8 36
- Teuta 18 9 6 3 24-13 33
- Kukësi 17 9 4 4 16-9 31
- Skënderbeu 18 9 3 6 20-13 30
- Laçi 18 8 6 4 16-13 30
- Flamurtari 18 8 4 6 15-12 28
- Tirana 18 4 5 9 19-21 17
- Luftëtari 17 5 1 11 14-20 16
- Kamza 18 4 3 11 9-20 15
- Kastrioti 17 3 1 13 11-33 10