AlbanianSport.com 24/04/2019 23:55
ASNN – Në kuadër të ndeshjeve gjysmëfinale të “play-off”-it në basketboll për meshkuj, Teuta arriti të bëhet skuadra e parë finalist, pasi mundi në duelin e dytë gjysmëfinal Partizanin, brenda në kryeqytet, me rezultatin 69-63. Ishte një ndeshje e bukur dhe me mjaft rivalitet, pasi “demat e kuq” tentuan deri në fund ta fitonin ndeshjen dhe ta shtynin fatin e kualifikimit. Por falë përvojës dhe qëndrueshmërisë, Teuta e trajnerit Kalaja ia doli të sigurojë një fitore domethënëse.
Dhe me shifrat 2-0 ia doli të shkojë në finalen e madhe të “play-off”-it në basketboll për meshkuj. Padyshim, për Teutën është një sukses i rëndësishëm, sepse ajo ka fituar më herët Kupën e Shqipërisë, fitoi Superkupën, ishte në finale e Ligës Ballkanike dhe nëse ia del në kampionat do të regjistrojë një rezultat dhe triumf historik, të denjë për rekord në rang kombëtar në basketbollin e meshkujve.
Ndërkohë, një fitore të bujshme ka siguruar Tirana, e cila mundi Goga Basketin në duelin e dytë gjysmëfinal të “play-off”-it midis tyre, me rezultatin 82-75. Kampionët në fuqi , bardheblutë, u treguan “kockë e fortë” dhe njëherësh dhuruan një prej ndeshjeve më të bukura të këtij edicioni. Në fakt, takimin e parë gjysmëfinal e ka fituar Goga, e cila vinte në kryeqytet si pretendente.
Por Tirana bëri një mbrojtje mjaft efikase dhe u tregua më e saktë në gjuajtje, teksa kontrolloi mjaft mirë edhe nervat e tendosura të kundërshtarëve. Ishte një fitore me zemër e bardhebluve, të cilët do të kenë një shans të shkojnë në finale nëse fitojnë gjysmëfinalen e tretë midis tyre. Kjo pasi në dy duelet e para rezultati është i barabartë 1-1. Dueli tjetër do të luhet në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës 3 ditë më pas.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Gjysmëfinalet e “play-off”-it
Takimet e para:
Goga Basket – Tirana 81-74
Teuta – Partizani 83-60
Takimet e dyta:
Partizani – Teuta 63-69 (0-2)
Tirana – Goga Basket 82-75 (1-1)
Takimi i tretë:
(27 prill 2019)
Goga Basket – Tirana (ora 18:00)