AlbanianSport.com 28/05/2020 22:25
ASNN – Ashtu si ekipet e tjera të Kategorisë Superiore, edhe Teuta i është rikthyer stërvitjes. Rubin Hebaj, një nga lojtarët e skuadrës bregdetare, tregon për periudhën e pushimit të detyruar, që kaloi në shtëpi, i detyruar nga epidemia. “Nuk ishte një periudhë e kënaqshme, padyshim, – ka pohuar ai. – Përkundrazi, por prapë jam munduar ta ruaj sadopak formën.”
Nga të gjithë sulmuesit kërkohet që të shënojnë gola. 22-vjeçari shkodran e di mirë këtë, ndaj është i përgatitur ta përballojë presionin që mund të ushtrohet mbi të, për të realizuar sa më shumë. “Shpresoj që të kthehet në një motiv për mua ky dygolësh në miqësore (ndaj Erzenit) dhe të sjellë zhbllokimin edhe në ndeshjet zyrtare, – ka thënë ai. – Skuadra ka besim tek unë dhe kjo gjë më jep forcë dhe siguri për të shënuar.”
“Dua ta ndihmoj ekipin, – ka vijuar Hebaj. – Edhe unë nuk ndihem mirë me veten kur e shoh që nuk e gjej dot rrjetën, pasi klubi ka shpenzuar për mua. Shpresoj që nga kjo javë të kthehem te goli për veten dhe për të gjithë ata që besojnë tek unë.” Pas rikthimit nga Ukraina, Hebaj, ka zgjedhur të luajë për Teutën, skuadrën me të cilën kërkon të aktivizohet sa më shumë.
E për t’ia arritur kësaj ai premton të japë maksimumin. “Një dygolësh që më jep besim për vazhdimësinë, ndaj jam i kënaqur, – ka pohuar shkodrani i bregdetarëve. – Unë jam profesionist, punoj çdo ditë për t’u rikuperuar nga dëmtimi, tani jam mirë. I pranoj zgjedhjet, kam ardhur te Teuta për të luajtur dhe mendoj se kam dhënë maksimumin në minutat që më janë dhënë.”
“Jam i lumtur, por jo aq shumë për objektivin që i kam vënë vetes për karrierën time, – ka vijuar. – Dua të shkoj sa më lart, atëherë do të isha i kompletuar. Rubini pret diçka më shumë nga vetja.” Ndërsa për të ardhmen, duket se shkodrani nuk ka ende asgjë të qartë, do të qëndrojë apo do të largohet nga Teuta, duke përsëritur vetëm se mbetet i përkushtuar për mbylljen me sukses të sezonit me skuadrën durrsake.