AlbanianSport.com 01.11.2016 23:50
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të dielën sot dy ndeshjet fundit të javës së saj të 9-të dhe duke nisur nga ora 17:00, është zhvilluar ndeshja midis Teutës dhe Partizanit, që u fitua nga të kuqtë kryeqytetas me një gol të vetëm.
Kjo ndeshje, që u luajt në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i ka mbyllur me rrjeta të paprekura 45 minutat e para. Por, në pjesën e dytë, 18 minuta para fundit, të kuqtë gjejnë golin e epërsisë me autor Trashin, gol ky që mjafton t’ju japë kryeqytetasve fitoren që i rikthen të vetëm në krye të renditjes së Kategorisë Superiore, me 25 pikë, 3 më tepër sesa kampionia në fuqi, Skënderbeu.
Ndërkohë, më herët, Tirana ka pritur në kryeqytet Kukësin dhe kjo ndeshje, që u luajt në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” dhe që ishte edhe premiera e Ilir Dajës si trajner i bardhebluve, u fitua nga vendasit me rezultatin 2-1. Tri takimet e para të javës së 9-të janë luajtur të shtunën dhe Tërbuni ka barazuar 1-1 në shtëpi me Laçin, ndërsa Vllaznia është mundur 3-1 në Ballsh përballë Bylisit vendas.
Në mbrëmje, Skënderbeu ka fituar në fushën e vet ndaj Flamurtarit, me rezultatin 2-0, duke marrë përkohësisht kreun e renditjes, me një golaverazh më të mirë sesa Partizani. Megjithatë, të kuqtë kryeqytetas janë rikthyer të vetëm në krye të renditjes, me 25 pikë, të ndjekur nga Skënderbeu, me 22, Kukësi me 16, Teuta me 14 dhe Tirana, me 13 pikë.
Kategoria Superiore
Java e 9-të
Të shtunën:
Tërbuni Pukë – Laçi 1-1
Bylis Ballsh – Vllaznia 3-1
Skënderbeu – Flamurtari 2-0
Të dielën:
Tirana – Kukësi 2-1
Teuta – Partizani 0-1