AlbanianSport.com 28/08/2021 21:10
ASNN – Mposht Vllazninë 3-0 në duelin e fillimsezonit, takimi erdhi drejtpërdrejt në RTSH 1. Kampionia në fuqi, Teuta, ka mposhtur të shtunën 3fituesen e Kupës, Vllazninë, me rezultatin 3-0, duke bërë të vetin trofeun e parë të sezonit të ri, Superkupën e Shqipërisë. Sikundër çdo eveniment madhor sportiv, edhe dueli tradicional që ngre siparin e sezonit të ri futbollistik në vend është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Dueli tradicional që ngre siparin e sezonit të ri futbollistik në vend, Superkupa e Shqipërisë, është luajtur të shtunën në mbrëmje dhe, sikundër çdo eveniment madhor sportiv, edhe kjo ndeshje është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1. Ky duel tradicional vuri përballë njëra-tjetrës dy skuadrat që i dhanë tonin sezonit të shkuar, duke ndarë edhe trofetë.
Teuta u shpall “kampione” e Shqipërisë, duke u rikthyer tek titulli pas 27 vjetësh, por vetëm në ndeshjen e fundit dhe vetëm falë një golaverazhi më të mirë. Ndërkaq, Vllaznia, që ishte skuadra që i sfidoi deri në fund bregdetarët në betejën për titull, u ngushëllua me trofeun e Kupës së Shqipërisë, teksa mposhti minimalisht në finale Skënderbeun. Dhe pjesa e parë e ndeshjes së zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena”, ka parë shkodranët ta nisin më mirë në minutat e para.
Por më pas janë durrsakët që rrezikojnë më tepër. Sidoqoftë, herë për pasaktësi në finalizim, herë për meritë të mbrojtjes dhe portierit të Vllaznisë, Zogoviç, Teuta, por as Vllaznia, nuk arrijnë ta gjejnë dot golin dhe 45 minutat e para janë mbyllur me rrjeta të paprekura. Sidoqoftë, pjesa e dytë dhe praktikisht i gjithë fati i ndeshjes është vendosur nga dy episode brenda vetëm minutash, që i kanë dhuruar fitoren Teutës.
Në fillim është një goditje në dukje e parrezikshme e Aleksit, që e gjen të papërgatitur portierin Zogoviç në minutën e 58-të. Vetëm 5 minuta më pas, Gruda fiton duelin me kapitenin shkodran Gurishta dhe Zogoviç mposhtet për herë të dytë. Në vijim loja do të hapet dhe është Vllaznia do të kërkojë me ngulm golin. Rastet nuk do të mungojnë, por ai që mungon për skuadrën shkodrane është finalizimi i saktë i rasteve.
Edhe, atëherë kur i sapofuturi Çoba e gjen golin 7 minuta para fundit të kohës së rregullt, është Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), që ka debutuar më në fund në futbollin shqiptar, që e ka anuluar atë në mënyrë kontradiktore. Me Teutën që shpërdoron në fund me Plakun, i cili sidoqoftë e korrigjon veten në minuta shtesë, duke gjetur golin e 3-të, do të mbyllet kështu ky duel i Superkupës së Shqipërisë, që shikon bregdetarët të mundin Vllazninë 3-0 dhe të bëjnë të tyrin të parin trofe të sezonit.