AlbanianSport.com 26/02/2021 17:55
ASNN – Në ndeshjen që ngriti siparin e javës së 21-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Teuta dhe Kukësi nuk kanë shkuar dot më larg se një barazim 2-2 midis tyre, në përballjen e zhvilluar të premten në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrës. Mundësi të ndërtuara për shënim, 11-metërsha, gola dhe ritëm loje, gjithçka në një 90 minutësh, por ku mungoi fituesi. Një mundësi për rivalët, që mund të bëjnë diferencën në sfidat e tyre.
Një mundësi e humbur për durrsakët për t’u afruar akoma më shumë me kreun, të paktën për 24 orë, vendi i 3-të në renditjen, në kuotën e 37 pikëve. Por edhe Kukësit me një pikë në sfidën e sotme nuk i dalin llogaritë, pasi mbetet në vendin e 5-të, në kuotën e 30 pikëve. Sfida nisi me një ritëm të kënaqshëm, me Teutën më sulmuese, ku Dejvi Bregu u paraqit si një rrezik konstant për mbrojtjen e verilindorëve të drejtuar nga trajneri Mirel Josa.
Në minutën e 33-të bregdetarët fitojnë një 11-metërsh dhe Bregu tregohet i saktë nga pika e bardhë duke i dhuruar epërsinë Teutës. Përgjigja e Kukësit vjen në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 70-të, po me anë të një 11-metërshi. Eze nuk gabon nga pika e bardhë, duke vendosur barazpeshën, 1-1. Por një rezultat i tillë do të rezistojë shumë pak, vetëm një minutë, sepse është përsëri Bregu, që shënon një gol të bukur nga goditja e dënimit dhe 2-1 për Teutën.
Katër minuta nga fundi i sfidës është përsëri Kukësi që vendos barazpeshën. Tsindsadze godet saktësisht me kokë një top të ardhur nga e djathta e sulmit për të sigluar barazimin 2-2. Në vazhdim Lorenco Vila dhe Emiljano Vila ndërtojnë raste të rrezikshme në portën e Kukësit, por që shpërdorohen dhe rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund, vetëm barazim 2-2 midis Teutës dhe Kukësit në “Niko Dovana”.