AlbanianSport.com 10/09/2021 21:55
ASNN – Mund Partizanin 1-0 në “Elbasan Arena” me gafën e Alban Hoxhës, debuton edhe “VAR”-i, të kuqtë shpërdorojnë një 11-metërsh. Sezoni i ri i nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore, ka ngritur të premten në mbrëmje siparin me përballjen midis kampiones në fuqi, Teutës, dhe Partizanit. Durrsakët kanë fituar me një gol të vetëm, të shënuar në pjesën e parë, ndërsa 4 takimet e tjera të javës së parë luhen të shtunën dhe të dielën.
Kështu, me takimin midis Teutës dhe Partizanit, që është luajtur të premten në mbrëmje në Stadiumin “Elbasan Arena”, të vlefshme për javën e parë, ka ngritur siparin sezoni i nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore. Takimi ka nisur me shkelminin simbolik të topit të parë nga ish-kapiteni i Teutës, Renato Arapi, që mbylli pak javë më parë karrierën si futbollist aktiv, për të kaluar në detyrën e drejtorit teknik të bregdetarëve, por edhe me bluzat e posaçme me mbishkrimin “Lutemi për Tetovën” të Partizanit.
Në fakt, çerekora e parë e sfidës ka parë Partizanin të luajë më mirë dhe Herald Marku e vë seriozisht në provë portierin e Teutës, Qirko, ndërsa më pas largon mbrojtja. Në minutën e 17-të, Giorgiev do të tronditë portën e gardianit të të kuqve, Alban Hoxha, i cili do të shpëtohet vetëm nga shtylla. Por, vetëm një minutë më pas, Hoxha gabon rëndë në përpjekjen për të larguar topin, pasi Giorgiev këmbëngul dhe ia bllokon goditje dhe topi prehet në rrjetë.
Minutat në vijim kanë parë Partizanin të përpiqet ta zhvendosë lojën në gjysmëfushën kundërshtare, por nuk ka as qartësinë e duhur dhe as forcën goditëse, përballë një Teute, që sikundër e ka për karakteristikë nën drejtimin e trajnerit Edi Martini, mbrohet mirë dhe administron rezultatin. Kësisoj, me epërsinë minimale të durrsakëve do të mbyllen 45 minutat e para në “Elbasan Arena”. Pjesa e dytë do të shohë Partizanin të jetë më ngulmues.
Dhe, në minutën e 56-të, në atë që do të jetë e para ndërhyrje zyrtare e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), kryesori Xhaja do të akordojë një 11-metërsh për Partizanin dhe do të ndëshkojë Filipoviçin e Teutës me karton të verdhë. Por Stenio Zhunjor gabon në mënyrë të pabesueshme nga pika e bardhë dhe shpërdoron mundësinë e të kuqve kryeqytetas për të barazuar shifrat. Gjysmëora e mbetur e lojës do të shohë sërish Partizanin të pafuqishëm për të thyer qëndresën e bregdetarëve, që administrojnë epërsinë, duke marrë zemër edhe nga 11-metërshi i humbur i të kuqve.
Përtej 7 minutave shtesë nervoze, kampionia në fuqi ruan gjakftohtësinë dhe e mbron fitoren minimale, por mjaft të vyer ndaj Partizanit dhe e nis kështu sezonin e ri aty ku e kishte mbyllur të vjetrin.