AlbanianSport.com 09/09/2021 21:40
ASNN – Kampionia në fuqi, Teuta, do ta nisë mbrojtjen e titullit të premten në mbrëmje, kur të përballet me Partizanin, në ndeshjen e parë të javës së parë të Kategorisë Superiore, që luhet në Stadiumin “Elbasan Arena”. Si për trajnerin Edi Martini, ashtu edhe për kapitenin Sherif Kallaku, kjo përballje është e vështirë. “Do jetë një ndeshje shumë e vështirë, normalisht Partizani ka patur ndryshime, po ashtu edhe ne”, – thotë Kallaku duke u bërë jehonë fjalëve të trajnerit.
“Fakti është që ne kemi zhvilluar më shumë ndeshje në Evropë dhe mendoj se gëzojmë një formë më të mirë”, – ka shtuar 23-vjeçari, i cili është pyetur se cilat skuadra mendoni se do të jenë rivalet më të forta për titullin. Nuk mund të jap emra ekipesh, sepse duhen marrë parasysh se është një kampionat shumë i fortë dhe është ende herët që të flasim për titullin “kampion””, është përgjigjur Kallaku, i cili vlerëson shiritin e kapitenit dhe premton maksimumin për Teutën.
“Normalisht, ndihem shumë i lumtur, është përgjegjësi e madhe dhe e them prapë që në ekipin e Teutës janë 24 kapitenë dhe jo një”, – ka theksuar futbollisti i huazuar nga Lokomotiva e Zagrebit, i cili ka dhënë edhe mendimin e tij për Teutën e sezonit të shkuar dhe atë të këtij sezoni. “Jo, përkundrazi, mendoj se Teuta vit pas viti ka treguar se përforcohet dhe besoj se këtë vit, jemi më të fortë. Synimi im është që deri në janar, aq sa kam kontratë, të shkoj sa më lart dhe t’i ndihmoj të jenë sa më pranë titullit “kampion””, – ka përfunduar futbollisti i Teutës, Sherif Kallaku.