AlbanianSport.com 13.04.2015 13:35
ASNN – Teuta ka fituar me vështirësi ndaj Elbasanit, teksa në pjesën e dytë e ka zgjidhur ndeshjen Hyseni në minutën e 74-t. Ka qenë një ndeshje e luftuar, e cila ka pasur shumë kartonë të verdhë, ndërsa miqtë, edhe pse tashmë kanë dalë nga Kategoria, kanë luajtur për gjithçka në Durrës.
Por në fund përsëri ka triumfuar Teuta, e cila ka arritur të shënojë me anë të Hysenit duke marrë një fitore të vyer. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Elbasanit, Muharrem Dosti, tha: “Të jemi realistë u përpoqëm sidomos në pjesën e parë, pretendojmë edhe për një 11-metërsh që nuk na u dha.”
“Me kalimin e ndeshjeve futbollistët po dorëzohen, por ne do të synojmë të japim maksimumin deri në fund, – ka vijuar ish-portieri elbasanas. – Ndaj Teutës mendoj se një pikë do ta kishim merituar. Në përfundim të sezonit do të diskutojmë me drejtuesit dhe do të marrim një vendim për të ardhmen.”