AlbanianSport.com 20/10/2018 20:25
ASNN – Java e tretë e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Superliga, u kthye në parket, këtë herë me ndeshje vërtet interesante dhe derbi. Kjo javë nisi që të premten me një ndeshje derbi të fundtabelës, ku Vllaznia priti Kamza Basketin në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”. Pritej një reflektim i shkodranëve dhe një reagim i tyre për pozitat e dobëta në renditje, por nuk ndodhi kështu.
Derbin e fundtabelës e fitoi Kamza Basket, që mori fitoren e parë këtë edicion. Miqtë triumfuan me rezultatin 75-70, në një takim ku shkodranët fituan vetëm pjesën e parë me shifrat 26-19, ndërsa të tre pjesët e tjera të lojës i fitoi Kamza Basket, përkatësisht me shifrat 25-19, 13-11 dhe 18-14. Pas kësaj fitoreje Kamza ngjitet përkohësisht në vendin e 3-të me 4 pikë, kurse Vllaznia mbetet në vend të fundit me tri pikë. Theksojmë se në këtë ndeshje trajneri Fatjon Taraboshi i Vllaznisë shfaqi mjaft ankesa ndaj gjyqtarëve të ndeshjes.
Ndërkohë, të shtunën është luhet në Durrës derbi i vecantë, ai midis Teutës dhe Goga Basket, një duel që u zhvillua në pallatin e sportit “Ramazan Njala”. Dy skuadrat zhvilluan sot në mbrëmje në “Ramazan Njala” ndeshjen e parë derbi të Durrësit në histori, takim që u fitua nga Teuta me rezultatin 90-80. Një përballje emocionuese dhe me rivalitet, ku nuk mungoi spektakli e lufta e fortë sportive, madje edhe tensioni (4 lojtarë dolën me teknike përjashtimi).
Ndeshja ishte e hapur deri në fund, me Teutën që gjatë gjithë ndeshjes pati një epërsi të lehtë prej 4-5 pikësh, duke bërë që emri i fituesit të jetë në dilemë. Goga Basket tentoi të surprizojë Teutën, por pa sukses, pasi gaboi atëherë kur nuk duhej. Pjesa e katërt është ajo që dhuroi gjithçka, emocionet e dramacitetin, tensionin e grintën, me Endrit Hysenagollin që është protagonist me 28 pikët e realizuara për Teutën.
Pas këtij takimi, të dyja ekipet ndajnë kreun me nga 5 pikë secila. Për Goga Basket kjo është humbja e parë me të rriturit, pasi vjet i fitoi të gjitha takimet në Kategorinë e Parë. Java e tretë e basketbollit të meshkujve do të mbyllet të dielën me një superndeshje derbi, midis Partizanit dhe Tiranës, takim i planifikuar të luhet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.
Kampionatit Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 3-të
Të premten:
Vllaznia – Kamza Basket 70-75
Të shtunën:
Teuta – Goga Basket 90-80
Të dielën:
Partizani – Tirana (19:00)
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Goga Basket 5
- Teuta 3
- Partizani 4
- Kamza Basket 4
- Tirana 3
- Vllaznia 3