AlbanianSport.com 15/02/2019 19:55
ASNN – Teuta ka regjistruar sot një prej fitoreve më të rëndësishme në këtë kampionat, pasi mundi 2-1 në një duel direkt për vendin e dytë Kukësin, skuadrën e cila shihej si një nga favoritët për të fituar trofeun e kampionatit. Natyrisht, disfata e së premtes në Durrës e nxjerr skuadrën e trajnerit Armando Cungu përkohësisht nga objektivat kryesore, sepse diferenca me Partizanin ndjekës është 8 pikë dhe mund të shkojë të dielën në 11 pikë nëse të kuqtë e fitojnë duelin e tyre me Laçin. Ndeshja që u luajt sot në Durrës ishte një nga më të bukurat e këtij edicioni.
Kishte rivalitet, emocione dhe spektakël. Kjo ndeshje pati gola, pati 11-metërsh të shkuar dëm, raste të shpërdoruara dhe kartonë të verdhë e të kuq, pothuajse nuk i mungoi asgjë dhe ishte një ndeshje për “kartolinë” për kampionatin shqiptar të këtij sezoni. Fitoi skuadra e Bledi Shkëmbit 2-1, një fitore që vjen pas 5 barazimesh radhazi dhe që kishte vënë në dyshim aftësinë e skuadrës durrsake për të ruajtur ritmin e konkurrencës në zonën e kryesimit. Në fakt, ndeshja e sotme në “Niko Dovana” nisi më mirë për Kukësin, i cili gjeti golin i pari me anë të Rexhinaldos.
Ishte paralajmëruar nga verilindorët se në këtë ndeshje prioritetin e sulmit do ta kishte pikërisht mozambikasi e jo vlonjati Vasil Shkurtaj. Në minutën e 30-të Teuta, e cila deri në atë moment po ushtronte më shumë presion, pretendoi një 11-metërsh, pasi Dzaria i Kukësit ndërhyri me faull ndaj Kamarës, por për gjyqtarin ishte gjithçka në rregull, pavarësisht se durrsakët këmbëngulnin për 11-metërsh. Në minutën e 36-të, në kulmin e lojës së Teutës vjen ndëshkimi. Rexhinaldos i krijohet hapësirë dhe me një gjuajtje të saktë nga distanca mozambikasi “përshëndet” rrjetën.
1-0 për Kukësin dhe pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat. Në pjesën e dytë nisi loja e nervave. Kukësi dëshiroi ta ruajë epërsinë dhe të godasë në kundërsulm. Me kalimin e minutave Shkëmbi insiston tek të tijtë të shtyjnë përpara dhe të ushtrojnë preson. Dhe brenda 3 minutash, midis asaj të 69-të dhe asaj të 72-të, ndodhi përmbysja e madhe. Fillimisht Gerhard Progni e më pas edhe Arapi, përmbysën Kukësin në 2-1, duke vënë në siklet trajnerin Cungu, që nxitoi të fuste yjet e stolit në fushë. Futen njëherësh Shkurtaj, Rama dhe Çyrbja, me synimin për të mos dalë pa pikë.
Dhe forca sulmuese e Kukësit rritet ndjeshëm, ku i afrohet disa herë golit, por finalizimi i sulmuesve mungon. Në minutën e 84-t ishte një rast shumë i mirë, por portiere Hidi i Teutës devijoi dhe topi u përplas në shtyllë e përfundoi jashtë. Megjithatë, Kukësi arrin ta fitojë një 11-metërsh në minutat e fundit të lojës, pasi Osmani preku topin me dorë. Nga pika e bardhë e 11-metërshit Uilliam Kardeiro gjuajti shumë keq dhe Isli Hidi bëri mrekullinë, duke i dhënë 3 pikë Teutës.
Kategoria Superiore
Java e 22-të
Të premten, 15 shkurt 2019:
Teuta – Kukësi 2-1
Të dielën, 17 shkurt 2019:
Tirana – Luftëtari (17:00)
Flamurtari – Skënderbeu (17:00)
Laçi – Partizani (14:00)
Kamza – Kastrioti (14:00)
Renditja:
- Partizani 46
- Teuta 39
- Kukësi 38
- Skënderbeu 33
- Laçi 31
- Flamurtari 30
- Tirana 24
- Luftëtari 21
- Kamza 16
- Kastrioti 16