AlbanianSport.com 09/01/2017 10:40
ASNN – Teuta ka mbyllur përgatitjet në Durrës për t’i vijuar në Turqi në përgatitoren e janarit ku do të qëndrojë 10 ditë. Deri tani afrimet kanë qenë me pikatore edhe pse në fund të dhjetorit ka patur plot 6 largime. Aktualisht situata në kampin durrsak është e qetë por priten përforcime.
Kështu është shprehur për RTSH Sport, zëvendëstrajneri i Teutës, Ilir Biturku. Është folur shumë se Teuta në pjesën e luajtur të kampionatit çaloi shumë në mbrojtje. Por Biturku nuk e pranon këtë. Ai thekson se skuadra luan si e tillë, ndaj nëse gabon, gabon e gjithë skuadra dhe jo vetëm një repart i saj.
Bojan Gjeorgjevski, mbrojtës i krahut të djathtë është i vetmi afrim i deritanishëm tek Teuta. Zëvendëstrajneri i “Djemve të Detit” shprehet pozitivisht për këtë lojtar. Teuta do të qëndrojë 10 ditë në Turqi. Të martën skuadra ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Durrës dhe të mërkurën në orën 04:00 të mëngjesit, Teuta do të niset drejt Turqisë.