AlbanianSport.com 16/12/2018 20:15
ASNN – Teuta me sulm të frikshëm, goleadë ndaj Kastriotit, Nica akuzon të tijtë se po i bëjnë “puç”. Teuta ka regjistruar një tjetër fitore me vlera të mëdha në këtë fazë të kampionatit. Mundi në Krujë Kastriotin me rezultatin e thellë 4-0, duke marrë 3 pikë që e ngjitën në vendin e dytë të renditjes, duke parakaluar Kukësin rival me një pikë më shumë dhe duke qenë vetëm 4 pikë larg Partizanit kryesues. Në fillim shënoi talenti Sherif Kallaku, një zbulim i trajnerit Bledi Shkëmbi, lojtar që po shënon rregullisht javët e fundit.
Pjesa e parë u mbyll 0-1, por Teuta do të “bombardonte” në pjesën e dytë Kastriotin në të gjitha frontet. Në mesin e pjesës së dytë i erdhi radha Gerhard Prognit të realizonte me kokë, duke shtruar “rrugën” e fitores për “Djemtë e detit”. Në minutën e fundit dhe madje në minutën e dytë shtesë, Teuta realizoi dhe dy gola të tjerë, fillimisht me Latifin e më pas me Vecajn, që vulosi fitoren 0-4 në favor të durrsakëve. Pas kësaj humbjeje, Kastrioti jo vetëm mbetet në vend të fundit, por thellon rekordet e tij negative të pësimit të golave.
Duke u bërë një lloj “bankomati” ku të gjithë shkojnë për të marrë… trepikëshin. Në fund të ndeshjes, trajneri Stavri Nica tha se ka lojtarë që po punojnë kundër trajnerit dhe ai ndodhej në pozitat “ose unë, ose ata”, pra trajneri hodhi dyshime për puç nga lojtarët e tij. Sa i takon Teutës, mund të pranohet gjerësisht që skuadra e Bledi Shkëmbit jo vetëm ka sulmin më të mirë në Superiore, por duhet marrë seriozisht si pretendente për titull. Pas kësaj jave, Partizani, Kukësi dhe Skënderbeu, që cilësohen pretendentë, duhet ta kuptojnë se titulli i këtij edicioni kalon nga formacioni i Bledi Shkëmbit.