ASNN – “Ferrari” tregoi se ka bërë një makinë të mirë në përfundim të testeve parasezonale të zhvillura në Barcelonë. Por edhe “MekLaren”-i dhe “Red Bull”-i nuk mbetën prapa. Të papriturën e dhuroi “Mercedes”-i që ka gati një makinë të re për testet e Bahreinit. Renditja e fundit që përcaktoi kohët e arritura në Barcelonë rikuperoi rendin e vendosur edhe më parë, me Ljuis Hemiltonin dhe Xhorxh Rasëllin, Serxhio Pérezin dhe Maks Verstapenin, në krye, por kjo tabelë nuk është kurrë një mjet i mirë për të analizuar atë që ka ndodhur në testet parasezonale.
Ndërkohë që në Montmeló, ishte vetëm kontakti i parë me pistën i makinave të reja për 2022. Por realiteti është diçka tjetër: sipas burimeve nga ekipet, “Ferrari” kishte makinën më të fortë në pistë, duke gjykuar nga analiza e “GPS”-së. Edhe “MekLaren” është në lartësinë e detyrës. “F1-75” i Karlos Sainzit dhe Sharl Lëklerkut u dëshmua të ishte një makinë shumë e aftë, agresive në konceptin e saj dhe e shkathët në kthesat e ndryshme të Barcelonës. “Ka motorin më të mirë”, – u dëgjua të thoshte Toto Volfi.
“MCL36”, më konvencional në dizajnin e tij, ishte bindës në duart e Lando Norrisit dhe Daniel Riçiardos. Por çdo lexim duhet bërë me rezerva: “Mercedes” po përgatit një paketë shumë ambicioze evolucioni për testet në Sakhir, e mund të thuhet se do të sjellin një makinë të re, dhe “RB18” bëri një paraqitje shumë solide nëse do të rregullohet defekti i kutisë së marsheve, i konstatuar të enjten. Rasëlli vuri në dukje “një makinë të kuqe dhe një makinë portokalli” si rivalë të mundshëm, duke gjykuar mbi këto prova të para.
Ndërsa Sainzi shprehet: “Nuk do t’i besoja shumë “Mercedes”-it duke parë se çfarë kanë bërë vitet e fundit”. Por Binoto shpërfill komentet e garës: “Jemi të lumtur sepse kemi bërë shumë xhiro, – ka thënë kreu i skuadrës së “Ferrari”-t. – Kemi mësuar nga makina dhe kemi mbledhur të dhëna. Sa i përket paraqitjes, është shumë herët. Gjëja e rëndësishme është të jesh i qëndrueshëm dhe i shpejtë. Ka probleme për të korrigjuar dhe potencial për të nxjerrë. Në Maranelo të gjitha të dhënat do të rishikohen për të optimizuar këtë makinë.”
“Nuk mendoj se ritmi ynë është aq i mirë sa tregojnë të dhënat”, – shton inxhinieri zviceran i “Ferrari”-t, i cili gjithashtu konfirmon se rregullimet e kryera nga skuadra e kanë zgjidhur problemin e balancimit. Në ditët në vijim, fabrikat do të analizojnë të dhënat e mbledhura në asfaltin katalanas dhe do të përgatisin evolucione të reja për t’i kaluar në testet e Bahreinit në 10-12 mars.