AlbanianSport.com 15/04/2020 23:50
ASNN – Është kohë sprovash dhe mendja njerëzore po shtyn kufinjtë e imagjinatës dhe arsyes për të gjetur zgjidhje që mund të cilësohesh shpesh edhe si pjesë e fantazisë apo që sfidojnë arsyen. I tillë është ai më i fundit që vjen nga Gadishulli i Apenineve dhe që ka bëjë me hipotezat sesi mund të vazhdojë apo të mbyllet sezoni aktual i nivelit më të lartë të kampionatit italian të futbollit. Sipas Agjencisë së Lajmeve “Reuters”, lojtarët dhe personeli i klubeve të Serisë A do të testohen për koronavirus dhe, më pas, do të izolohen në qendra stërvitore, ku do të nisin përgatitjet për rinisjen e sezonit, ka rekomanduar të mërkurën Federata Italiane e Futbollit (FIGC).
Këto rekomandime kanë ardhur së bashku me udhëzimet e përgatitura nga komiteti shëndetësor i FIGC-së, në mënyrë që sezoni i ndalur që prej 9 marsit për shkak të epidemisë, të rinisë i sigurt, thuhet në një komunikatë për shtyp të saj, të cilës i referohet agjencia në fjalë. Federata Italiane e Futbollit shpreson që stërvitjet të nisin menjëherë pas karantinës kombëtare, që përfundon më 3 maj. Italia ka qenë një prej shteteve më të goditura nga koronavriusi dhe lojtarët e disa ekipeve të Serie A janë infektuar.
“Në mënyrë që të rifillojë futbolli i sigurt, është thelbësore që, në këtë periudhë, të zhvillohen procedurat më të mira të mundshme për ta nisur sërish veprimtarinë, – ka thënë ndër të tjerash Presidenti i Federatës italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, duke folur për “Reuters”. – Po punojmë pa u ngutur dhe pa pushim po ashtu, në mënyrë që të jemi gati kur institucionet të na japin dritën e gjelbër.” Federata thotë se, në fillim të stërvitjeve, secili klub duhet të formojë një grup të lojtarëve, personelit teknik, mjekëve, fizioterapistëve dhe pjesës tjetër të personeli që është negativ në teste dhe të izolohen në stilin e kampit stërvitor veror.
Është thënë se të gjithë anëtarët e grupit duhet të testohen për koronavirus 96 orë para nisjes së kampit stërvitor. Federata Italiane e Futbollit është e vendosur që ta përmbyllë sezonin aktual të Serisë A, kur kanë mbetur edhe 12 javë për t’u zhvilluar, edhe pse disa klube dëshirojnë që ta pezullojnë krejtësisht atë. Po kështu, është njoftuar se ka gjasa që ndeshjet të mos luhen fare në veri të Italisë, zona që është prekur më tepër nga epidemia e “COVID-19”-ës.