AlbanianSport.com 27.05.2015 15:15
ASNN – Pas një hetimi të ndërmarrë nga gjykata amerikane, policia zvicerane ka arrestuar 7 drejtues të rëndësishëm të FIFA-s. Ata akuzohen për korrupsion, mashtrim dhe pastrim parash përgjatë 20 viteve të fundit. Edhe numri një i FIFA-s, Sep Blater, po hetohet nga FBI, por nuk është arrestuar. Një “tërmet” i vërtetë ka goditur kështu Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA).
Policia zvicerane ka ndërmarrë të mërkurën në mëngjes, një seri arrestimesh të drejtuesve kryesorë të FIFA-s. Janë më shumë se 14 personat e arrestuar e midis tyre janë 7 drejtues të rëndësishëm të organizmit që qeveris futbollin ndërkombëtar, të cilët janë vënë nën akuzat e korrupsionit, mashtrimit dhe pastrimit të parave përgjatë 20 viteve të fundit.
Sipas njoftimit të bërë nga Zyra Federale Zvicerane e Drejtësisë, 7 të arrestuarit dyshohet se kanë pranuar të marrin ryshfet me shifrat prej më shumë se 100 milionë dollarësh. Midis të arrestuarve janë drejtues të rëndësishëm të FIFA-s, të tillë si Xhefri Ueb i Ishujve Kejman dhe uruguajani Euxhenio Figueredo, të dy zëvendëspresidentë të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, si dhe Xhek Uorren i Trinidad-Tobagos dhe Eduardo Li i Kosta Rikës.
Ata do të ekstradohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku do t’i nënshtrohen marrjes në pyetje nga gjykata federale në Bruklin në Nju Jork. Akuzat e ngritura nga autoritetet amerikane përfshijnë skandalet e përfolura gjatë 20 viteve të fundit, midis të cilave janë dhënia e të drejtave të organizimit të kampionateve botërore, si dhe marrëveshjet për të drejtat televizive dhe marketingun.
Sidomos Botërorët e 2018-s dhe 2022-shit janë shkaqet kryesore të hetimit. Edhe 79-vjeçari, Sep Blater, president i FIFA-s që nga viti 1998, po hetohet nga FBI-ja, edhe pse për momentin nuk rezulton midis drejtuesve të akuzuar. Ky skandal ka prishur festën e nr. 1 të FIFA-s, Blater, i cili do të kandidonte për mandatin e pestë si president i organizmit më të lartë të futbollit botëror.