Gjergj Vyshka 22.02.2015 19:10
Kryesuesit e Veriut, Tërbuni, jo vetëm që kanë shënuar shtatë gola, por e kanë kthyer si stërvitje. Velipojakët për asnjë çast nuk kanë rrezikuar në portën e pukjavë, Giljen, për 90 minuta spektator.
“Ju e patë vetë që Ada e kishte të pamundur për të na përballuar, – ka deklaruar trajneri i Tërbunit, Elvis Plori. – Madje dhe në një fushë shumë të mirë si kjo këtu në Pezë-Helmës.”
“Jam i pakënaqur me pjesën e parë, sepse u krijua një farë ngërçi, ndërsa skuadra nuk po e qarkullonte topin ashtu sikurse unë kërkoja”, – ka vijuar shkodrani i stolit pukjan, duke folur pas ndeshjes.
“Më pas doli në lojën e vet dhe për ne ka rëndësi që ekipi u shpreh dhe ndeshja edhe duke parë lojtarët që janë aktivizuar më pak pati vlera. Tanimë çdo ndeshje është një finale, ndërsa ne do të vazhdojmë rrugën tonë drejt kalimit në Superiore”, – përfundoi Plori.
Duhet theksuar se, në kohën që skuadrat bëheshin gati për të nisur lojën, në të katër anët e fushës ka shpërthyer uji që vinte nga sistemi vaditës i fushës së Kompleksit “Internacional” të Pezë-Helmësit.
Kaq ka mjaftuar për të vonuar disi nisjen e ndeshjes, sepse as pukjanët nuk mund të rehatoheshin në bankinën e tyre, por as të dërguarit e Federatës nuk mund të zinin pozicionin e tyre.
Vetëm pasi ka përfunduar vaditja, ndeshja ka nisur normalisht, kurse është kërkuar dhe ndërhyrja e punëtorëve për të bërë mbylljen e saraçineskave.