AlbanianSport.com 08.12.2014 16:50
ASNN – Pavarsisht ecurisë së javë të para, Tërbuni vjen si kryesues i grupit të Veriut të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit në përfundim të fazës së parë ndërsa statistikat e kësaj skuadre flasin vetë. Në 9 ndeshjet e zhvilluara në fazën e parë, prej të cilave 5 në fushë të huaj dhe 4 në fushën e vet, nuk njeh asnjë humbje.
Tërbuni ka shënuar 14 gola dhe ka pësuar 5. Portieri Gjokoviçi ka mbi 270 minuta pa pësuar gol. Pukjanët kanë fituar për herë të parë në ndeshjet e vështira jashtë fushës së tyre, në Mamurras e Burrel dhe për herë të parë këtë sezon, në përfundim të fazës së parë, është kryesues.
Në fazën e dytë, duke llogaritur që Ada e Velipojës i bën ndeshjet në Pukë, atëherë i bie që Tërbuni të ketë praktikisht 6 ndeshje në fushën e vet, ndërsa do të jenë vetëm 3 ndeshje në fushë të huaj, pikërisht në Kamëz, në Krujë dhe në Lezhë. Shënuesi më i mirë i ekipit është Greca me 5 gola, katër në kampionat dhe 1 në Kupën e Shqipërisë.
Tërbuni numëron 5 11-metërsha në favor, 3 prej të cilave janë shndërruar në gola dhe 2 janë humbur. Dhe të gjitha këto e bëjnë skuadrën pukjane ideale për të qenë në Superiore.