AlbanianSport.com 20.09.2015 11:15
ASNN – Teuta ka marrë tri pikë të rëndësishme dje në sfidën me Tërbunin e vlefshme për javën e 4-t të Kategorisë Superiore. Durrsakët kanë fituar 3-1 duke u ngjitur kështu në kuotën e 9 pikëve. Por trajneri i Tërbunit, Samuel Nikaj ka shpërthyer pas ndeshjes së djeshme ndaj Teutës. Ai shprehet se ka persona të cilët po futin hundët në punën e tij duke mos e lënë të punojë i qetë. “Ishte një ndeshje ku prodhuam futboll”, – ka deklaruar ai për mikrofonin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që e transmetoi drejtpërdrejt këtë sfidë.
“Bëmë gabime individuale, veçanërisht në dy golat e parë me portierin dhe goli i tretë me Lilajn, – vijoi trajneri i pukjanëve. – Duhet të ishim më të kujdesshëm, pasi mund të merrnim pikë.” Më pas, ai ka lëshuar “bombën”, duke thënë: “Në dhoma futen njerëz që futin në presion skuadrën dhe japin mend për futbollin. Jemi profesionistë dhe nuk mund të vijnë “të japin mend” në dhomat e zhveshjes që nuk kanë lidhje me sportin. Nuk jemi ekip amator, që të ndodhin këto gjëra. Do rishikoj pozicionin tim, sepse më duhet ta di kush është i pari dhe i dyti në klub.”
“Nuk mund të vazhdohet kështu, – ka pohuar Nikaj. – Unë kam ardhur të bëj punën time dhe kurrsesi nuk mund të pranoj të që njerëz të tjerë të fusin hundët në skuadër. Kushtet e punës janë jashtëzakonisht të vështira. Tifozët vijnë gjithmonë dhe në largim, madje ata po e braktisin ekipin duke pasur gjithmonë e më pak tifozë. Gjithashtu edhe financat nuk janë aspak të sigurta. Në këto kushte duket e pamundur të punosh. Do të kërkoj një takim me drejtuesit dhe të sqaroj gjithçka.” Teuta-Tërbuni ishte në fakt ndeshja hapëse e javës së 4-t të Kategorisë Superiore.
Skuadra bregdetare ka siguruar një 3-pikësh të vlefshëm duke mundur miqtë nga veriu me rezultatin 3-1. Skuadra durrsake ka dominuar kryesisht takimin duke kaluar në epërsi që në minutën e 11-të me anë të Lamçes, i cili realizon me një gjuajtje nga jashtë zonës. Pa kaluar 8 minuta, pukjanët arrijnë të barazojnë me anë të Dhramit. Teuta vazhdon të këmbëngulë dhe në 34-tën minutë kalon sërish në epërsi, pas golit të realizuar nga Artur Magani. Midis disa mbrojtësve të Tërbunit, futbollisti peqinas i durrsakë arrin ta çojë topin në rrjetë, edhe falë një devijimi.
Dhe Teuta i mbyll kështu 45 minutat e para në epërsi 2-1. Pjesa e dytë nis sërish me sulme të Teutës dhe Tërbunit, që i duhet të mbrojë portën për të mos pësuar gola të tjerë. Teksa pritej fishkëllima e fundit e gjyqtarit kryesor të takimit, Lilaj i Tërbunit bën një gabim fatal, teksa i “dhuron” topin futbollistëve kundërshtarë. Aty përfiton Gripshi që nuk e ka të vështirë të shënojë golin e tretë. Me këtë fitore Teuta ngjitet në kuotën e 9 pikëve. Në ndeshjen tjetër të luajtur të shtunën në mbrëmje, Partizani ka fituar 2-0 me Kukësin.