Gjergj Vyshka 06.01.2015 19:00
Tërbuni e ka zyrtarizuar dhe blerjen e dytë në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër. Bëhet fjalë për Abaz Karakaçin, lojtari i cili ka luajtur pjesën e parë të sezonit në Kategorinë Superiore me Apoloninë. Karakaçi është një tjetër lojtar i sugjeruar nga trajneri shkodran i skuadrës pukjane, Elvis Plori. Karakaçi, i datëlindjes 25 gusht 1992, ka si rol të tij pozicionin e mesfushorit të qendrës.
Karrierën e tij e ka nisur më 2010 tek skuadra e vendlindjes Vllaznia me të cilën në dy sezone luajti 11 ndeshje, shënoi një gol dhe mori tre kartonë të verdhë. Në sezonin 2012-2013 është pjesë e Partizanit, atje ku luajti 13 ndeshje dhe nuk shënoi asnjë gol. Po në atë sezon do të zhvendosej tek Ada e Velipojës me të cilën do të luante 14 ndeshje.
Brenda një sezoni, 2013-2014, luan në dy skuadra. Më parë tek Burreli, atje ku ishte trajner Plori, dhe më pas me gjirokastritët e Luftëtarit. Me Burrelin ka luajtur 13 ndeshje, kurse me gjirokastritët po të njëjtin numër ndeshjesh, veçse shënoi 3 gola. Sakaq sezoni 2014-2015 e ka gjetur tek Apolonia, atje ku me fanellën e fierakëve, në 10 ndeshje ka shënuar një gol.
Aftësitë e tij, por dhe Bekim Erkoçeviçit, e kanë bërë trajnerin shkodran të pankinës pukjane, Elvis Plori që t’ia kërkojë presidencës si përforcime për Tërbunin kryesues të grupit të Veriut në Kategorinë e Parë. Dhe tashmë është fakt i kryer që pas Erkoçeviçit, edhe Karakaçi është zyrtarisht pjesë e pukjanëve.