Gjergj Vyshka 07.03.2015 08:55
Tërbuni është përgatitur për të fituar sot në Krujë ndaj Kastriotit vendës, ndërsa shpreson që në Mamurras, atje ku skuadra vendës do të ndeshet me Besëlidhjen, gjithçka të përfundojë në barazim. Ndërkohë barazimi i së mërkurës me Mamurrasin sërish ka lënë gjurmë tek lojtarët pukjan dhe në diskutimet e tyre e pranojnë që janë përsëri të mërzitur për atë barazim të pamerituar.
“Të gjithë jemi të mërzitur, sepse me lojën që zhvilluam pa dyshim që e meritonim fitoren dhe jo barazimin. Por na ka braktisur fati. E megjithatë ne jemi përsëri të parët dhe kështu do të vazhdojmë deri në fund të këtij sezoni, ndërsa Kategoria Superiore është duke na pritur neve”, ka theksuar Xhynej Çutra.
Ndërkohë Bruno Kepi, golin e shënuar ndaj Mamurrasit ia ka dedikuar shokut të tij, Amir Tafës, i cili ka pasur 22-vjetorin e lindjes. E për të larë barazimin e pamerituar me Mamurrasin, Tërbuni është duke u përgatitur që të fitojë në transfertën e vështirë të Krujës.