AlbanianSport.com 09.08.2015 16:55
ASNN – Tërbuni ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore në Stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës në këtë periudhë përgatitore të verës, ndërsa përballë ka pasur skuadrën e Kategorisë së Dytë, Internacionalin. Tre gola ka arritur të shënojë Tërbuni në këtë miqësore, ndërsa kjo fitore konsiderohet si një nisje e mbarë në ciklin e miqësoreve të skuadrës pukjane në këtë periudhë përgatitore të verës.
Ajo që duhet pranuar është fakti se për asnjë moment, Internacionali nuk e ka vënë në vështirësi Tërbunin. Megjithëse kjo miqësore ishte si një test për të gjithë lojtarët e ardhur në skuadrën e Samuel Nikajt. Ndërkohë, në pjesën e parë ka shënuar Adriano në minutën e 39-të. Por pukjanët kanë shpërndoruar raste të pastra shënimi, sidomos me anë të Taulant Markut, në të 8-tën dhe në të 22-tën minutë.
E po kështu ka ndodhur dhe me Tushen në minutën e 17-të. Internacional bëri rezistencë e për rrjedhojë pjesa e parë është mbyllur 1-0. Në pjesën e dytë Nikaj ka bërë zëvendësime, ndërsa në minutën e 55-të ka shënuar nga pika e bardhë Gërxho. E mandej ka shënuar dhe Rexha në minutën e 67-të. Dhe në përfundim 3-0 për Tërbunin kjo miqësore e parë e pukjanëve.
Tërbuni – Internacional 3-0
Shënues: Adriano 39’, Gërxho 55’(11-m.), Rexha 67’
Tërbuni: Haxho, Rudoviç, Sulollari, Prendi, Imami, E. Marku, Ivanaj, Tushe, Sulmata, T. Marku, Adriano. Trajner: S. Nikaj U aktivizuan: Lila, Rexha, Gërxho, Muçaj, Mone, Gavazaj, Karapici, Malindi.
Internacionali: Biduli, Trimi, Tujani, Remo, Sallaku, Thaçi, Muçollari, E. Biduli, Laçi, Kaloshi, Reli. Trajner: A. Bedini
Gjyqtarë: S. Zeka, M. Dragusha, S. Ahmati (Shkodër)