AlbanianSport.com 21.08.2015 15:25
ASNN – Trajneri i Tërbunit, Samuel Nikaj, është shprehur se në ndeshjen e parë ndaj Tiranës shpresohet të merret rezultati pozitiv. “Unë e vlerësoj kundërshtarin, sepse është një ndër skuadrat më të mira të Kategorisë Superiore, – deklaroi ai në prag të ndeshjes së fundjavës. – Është ekip që ka histori dhe që ka fituar kampionate dhe Kupa të Shqipërisë. Tirana ka ndërtuar sivjet një skuadër për të dalë “kampion”, sepse për hir të së vërtetës duhet pranuar se prej vitesh i mungon një trofe.”
“Ne jemi përgatitur për të marrë fitoren dhe me ekipin që kemi mendoj se kemi bërë një skuadër solide me lojtarë që kanë luajtur dhe me skuadra me histori të madhe, siç është Tirana, – ka vijuar trajneri i pukjanëve. – Unë e kam përgatitur që sot formacionin kundër Tiranës, ndërsa do të luajmë me skemën 5-4-1, atje ku sulmuesi i deklaruar do të jetë Malindi. Kemi pritur disa lojtarë për t’i afruar tek Tërbuni, sidomos në sulm. Por këto mund të bëhen të ditur vetëm një ditë përpara ndeshjes me Tiranën.”
“Qëndrimi ynë këto ditë në Pukë do të shërbejë edhe për të bërë seanca më të lehta stërvitore. Unë kam besim dhe i garantoj të gjithë tifozët pukjan se Tërbuni do të shpalosi vlerat e tij më të mira që në javën e parë të kampionatit. Dhe unë jam i bindur se kjo ndeshje do të luhet në Pukë, sepse “Ismail Xhemali” ka marrë një formë të mirë, ndërsa për mua është ndër stadiumet më cilësore në vend. Ndeshja me Tiranën do të jetë një spektakël për të gjithë të pranishmit”, – ka përfunduar Nikaj.