Gjergj Vyshka 10.02.2015 07:55
Barazimi në Lezhë ndaj një rivali të drejtpërdrejtë siç është Besëlidhja i ka bërë të gjithë me krah në Pukë. Jo vetëm kaq, por në një vlerësim të tifozëve të besuarit e Elvis Plorit për atë që dhanë në fushë janë të gjithë heronj.
Madje tifozët kanë vlerësuar së tepërmi portierin malazez Vladan Giljen, i cili edhe pse nuk bëri ndonjë pritje të madhe në fushën e lojës, sepse lezhjanët nuk shkuan asnjëherë rrezikshëm në portën pukjane, sërish është një portier me nivel.
“E sipas mendimit tonë një ndër portierët më të mirë të kampionatit shqiptar të Kategorisë së Parë”, – kanë thënë tifozët, të cilët më pas i kanë dhënë notat maksimale dhe shkodranit Abaz Karakaçi, që sipas tyre tregoi vlerat e tij më të mira në fushën e lojës ndaj Besëlidhjes.
“Ne shpresojmë që të vazhdoni kështu, ndërsa mbështetja jonë nuk ka për të munguar”, – kanë thënë tifozët e Tërbunit, kurse Ultrasit “Shqiponjat e Veriut” i kanë falënderuar lojtarët për gjithçka që dhanë në fushën e lojës në kryesfidën e grupit A mes Besëlidhjes dhe Tërbunit të shtunën e kaluar në Lezhë.