Gjergj Vyshka 23.01.2015 07:55
Tërbuni, ashtu sikurse një pjesë e mirë e skuadrave të Kategorisë së Parë, dje ka pushuar. Në fakt i takon një pushim i tillë, jo vetëm sepse një ditë më parë kishte luajtur ndaj Adës, teksa ka pasur dhe një fitore të vështirë, por sepse duke mos pasur asnjë humbje në 20 javë dhe duke e sigurtë në rrugën e saj drejt Superiores, atëherë Tërbuni i trajnerit Elvis Plori ka drejtë të festojë dhe të pushojë.
Ndërkohë Taulant Marku, njeriu përcaktues i Tërbunit në fitoren ndaj Adës me dy golat e tij, do të deklaronte: “Jam shumë i kënaqur që shënova dy gola për ekipin tim të vendlindjes. Por nuk do të ndalem këtu dhe do të jap gjithmonë maksimumin për ekipin tim të zemrës. Golat ua dedikoj tifozëve më të mirë në botë, Ultrasve “Shqiponjave të Veriu”.”
Ndaj dhe tifozët kanë kërkuar një mbështetje të veçantë për këtë futbollist. Por ndërkohë një tjetër lojtar është mirëpritur nga tifozët e Tërbunit. Bëhet fjalë për Mustafa Agastrën, sulmuesi i cili është kthyer pas gati dy muajsh në skuadër. “U riktheva në shtëpinë time, aty ku do të dal “kampion” për herë të dytë në karrierën time”, – ka deklaruar ai.
“Falënderoj tifozët dhe Ultrasit “Shqiponjat e Veriut” për pritjen që më bënë”, – ka shtuar Agastra. Kësisoj Tërbuni vijon të festojë, por ndërkohë do të nisi përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat me Kastriotin, të cilën me shumë mundësi do ta luajë në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës.