Gjergj Vyshka 03.03.2015 09:25
Të mërkurën në Pukë do të luhet kryesfida e Kategorisë së Parë për grupin A, mes Tërbunit vendës dhe Mamurrasit. Një sfidë që vlen jo vetëm për kreun e renditjes, por dhe për të vazhduar e qetë udhëtimin skuadra pukjane drejt realizimit të ëndrrës së saj, që është ngjitja në Kategorinë Superiore.
Dhe për të pasur mbështetjen maksimale të tifozëve, Bashkia e Pukës ka vendosur që stadiumi të jetë falas për tifozët. “Të jemi të gjithë bashkë, sa më të shumtë në numër në ndeshjen vendimtare të sezonit. Të tregojmë që jemi më të mirët!” Kjo ka qenë thirrja e Bashkisë së Pukës për tifozët e saj.
Ndërsa pritet që të mërkurën në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës të ketë një numër rekord shikuesish. Sepse në rast fitoreje, Tërbuni shkëputet nga rivalët dhe më pas në fazën e tretë e ka gjithçka të hapur drejt elitës së futbollit shqiptar. “Duhet të shkruajmë së bashku historinë, ndaj ejani të gjithë në stadium”, – kanë përfunduar pukjanët thirrjen e tyre për tifozët e Tërbunit.