Gjergj Vyshka 28.01.2015 07:55
Lojtari është në pritje të letrave nga Laçi dhe menjëherë do të jetë në stërvitje me të kuqtë. Pas bisedave me trajnerin Plori, sulmuesi pogradecar ka rënë dakord për të luajtur me kryesuesit. Godet Tërbuni në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër. Migen Memelli, sulmuesi dhe golashënuesi i disa skuadrave në Kategorinë Superiore, e jo vetëm kaq, por dhe në Arabinë Saudite, tashmë ka pranuar ofertën e Tërbunit. Në fakt, faqja në “Facebook” e KF Tërbunit kishte paralajmëruar që në ekipin e drejtuar prej shkodranit të suksesshëm Elvis Plori janë gati në mbërritje dy sulmues. Dy sulmues nga ata që përbëjnë emër të madh dhe peshë të rëndë në futbollin shqiptar.
Dhe biseda e së hënës që vetë trajneri Plori ka bërë me sulmuesin e njohur, i cili deri në dhjetor ka qenë pjesë e Laçit në Kategorinë Superiore, i ka dhënë efektet e veta. “Kemi rënë dakord me Memellin dhe jemi në pritje të letrave nga klubi i Laçit. Nëse na i japin menjëherë, futbollisti do të jetë në stërvitje me ne”, – ka thënë Plori, që kështu ka zgjidhur një hall të madh në skuadrën e tij. Sepse pas largimit të Faku Agastrës, i cili ka ikur në Suedi për problemet e tij, sulmi duket se ka ngelur bosh, pavarësisht se në miqësore, ashtu sikurse ka bërë dhe kur ka luajtur tek Dinamo, në atë repart ka luajtur një ish-dinamovit, kroati Matko Djarmati.
Ajo që duhet bërë e ditur është fakti se vetë Memelli ka qenë i interesuar për një ekip që stërvitet në Tiranë ose pranë kryeqytetit për të mos u shkëputur shumë nga familja e tij. Ka kërkuar të bëhej pjesë e Elbasanit dhe Teutës në Kategorinë Superiore. Madje në ditët e para të janarit në adresë të tij ka ardhur dhe një ftesë miqësore prej klubit të vendlindjes, Pogradecit. “Eja ta mbyllësh karrierën këtu. Ne të gjithë të presim”, – kjo ka qenë ftesa për Memellin. Por tanimë ai ka pranuar ofertën e Tërbunit dhe vetëm çështje letrash nga Laçi, që në një farë mënyre kurbinasit nuk duken se do të bëhen pengesë edhe për shkak të njohjes që kanë me drejtuesit e skuadrës pukjane.
Kështu, Migen Memelli zyrtarisht do të jetë pjesë e kryesuesve të grupit të Veriut në Kategorinë e Parë. Të cilët me të shpresojnë të arrijnë objektivin e tyre, që është ngjitja në Kategorinë Superiore për herë të parë në historinë e futbollit të Pukës.