AlbanianSport.com 03.05.2016 14:40
ASNN – Tërbuni, edhe pse të mërkurën do të luajë përballë Flamurtarit në Pukë, dje ka zbritur për herë të parë në fushën e stërvitjes pas ndeshjes me Partizanin. Është një përballje e vështirë për pukjanët, sepse edhe duke luajtur përballë sportdashësve do të kërkojnë të bëjnë surprizën për të shpresuar mbijetesën. Duket sikur kampionati ka mbërritur në një pikë për pukjanët që nuk kanë mundësi më për të shpresuar qëndrimin në Superiore.
Megjithatë edhe sipas trajnerit Gjoni, Tërbuni nuk ka ndërmend të tolerojë asgjë ndaj vlonjatëve. “Ndaj Flamurtarit ne dëshirojmë të bëjmë një përballje të bukur dhe me ritëm, – ka deklaruar ai. – Kuptohet që kundërshtari vjen me synime të qarta, sepse kërkon të mbijetojë në Kategorinë Superiore. E gjithë ideja jonë është marrja e pikëve për moral. Pavarësisht humbjes me Partizanin skuadra ka optimizëm dhe ne kërkojmë fitoren ndaj Flamurtarit.”
“Do të bëjmë të gjithë përgatitjen e duhur për të marrë më të mirën nga kjo ndeshje, ndërsa do të hedhim formacionin tonë më të mirë në fushën e lojës, – ka vijuar trajneri pukjan. – Unë shpresoj që skuadra të hyjë me idenë e fitores edhe sepse në fushën tonë kemi lënë shumë pikë përpara sportdashësve tanë. Në këtë ndeshje do të jenë të gatshëm si Tasiç, ashtu dhe Frangaj e Lala. Madje, me këtë të fundit jam i habitur pse duhet të merrte karton.”
“Ndërsa ne jemi të vendosur që të mos tolerojmë askënd deri në fund të kampionatit. E shpresoj që një gjë të tillë ta arrijmë dhe ndaj Flamurtarit dhe të kemi një gjykim të drejtë”, – ka përfunduar trajneri i Tërbunit, Viktor Gjoni.