Gjergj Vyshka 05.01.2015 09:35
Sulmuesi që ka luajtur për Apoloninë për gati dy sezone ka pranuar ofertën e kryesuesve të Veriut. Bekim Erkoçeviç është blerja e parë e Tërbunit në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër. Sulmuesi shkodran, i cili ka qenë pjesë e Apolonisë në Kategorinë Superiore, ndërsa ka dhe kontributin e tij në ngjitjen e skuadrës fierake në elitën e futbollit shqiptar, ka pranuar ofertën e drejtuesve pukjan.
Dhe që nga pasditja e djeshme, kohë në të cilën transferimi i tij është zyrtarizuar në faqen e “Facebook”-ut, KF Tërbuni, Erkoçeviç është pjesë e skuadrës së trajnerit Elvis Plori, e cila pas 12 javësh kryeson me meritë grupin e Veriut në Kategorinë e Parë. Erkoçeviç ka lindur në Shkodër më 23 mars 1992. Për dy sezone, teksa ishte vetëm 18 vjeç, do të ishte pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë në Kategorinë Superiore.
Dhe në 15 ndeshje aktivizim përgjatë sezoneve 2010-2012 me shkodranët do të shënonte dy gola. Për një sezon, më saktë më 2012-2013, Erkoçeviç do të ishte në skuadrën e Adës së Velipojës, atje ku në 27 ndeshje do të shënonte 7 gola. Në sezonin 2013-2014 do ta niste me Burrelin, ndërsa trajneri i skuadrës matjane do të ishte kreu i pankinës aktuale të Tërbunit, Elvis Plori.
Dhe në 12 ndeshje me Burrelin do të shënonte dy gola. Në fazën e dytë të sezonit 2013-2014 ai do të shkonte tek Apolonia, ndërsa do të kontribuonte në ngjitjen e fierakëve në mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Në dy fazat e para të sezonit 2014-2015, gjithnjë në Kategorinë Superiore, Bekim Erkoçeviç do të shënonte një gol për Apoloninë.