Gjergj Vyshka 19.02.2015 15:25
3 milionë lekë të rinj do të jetë buxheti i futbollit për vitin 2015, ndërsa ky ka qenë vendimi i Këshillit Bashkiak të Pukës, i cili është marrë të mërkurën në mbrëmje. Në fakt kjo pjesë e shumës i është bashkangjitur asaj që japin donatorët e Tërbunit, që në këtë rast janë vëllezërit Frroku, në mënyrë që skuadra të sigurojë, për herë të parë në historinë e futbollit pukjan, ngjitjen në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Dhe është një shumë e cila përligjet edhe për shkak të rezultateve të skuadrës së trajnerit Elvis Plori, e cila është kryesuese në Grupin e Veriut, teksa pas 14 javësh kanë 36 pikë. Lufta sigurisht që është e ashpër, sepse Tërbuni ndiqet nga pas prej Mamurrasit, i cili ka 35 pikë, por dhe nga Besëlidhja që ka aktualisht 32 pikë. Nisur nga kjo garë e ashpër, por dhe nga fundi i mandatit, ndërsa ngjitja e Tërbunit në Kategorinë Superiore mund të nënkuptojë një mandat shtesë për kryetarin e Bashkisë së Pukës, Beqir Arifaj, atëherë pushteti lokal është treguar zemërgjerë.
Sepse edhe Bashkia është e përkushtuar për ekipin dhe dëshiron ta shohë në elitën e futbollit shqiptar. Kryetari i Bashkisë së Pukës, Beqir Arifaj, së bashku me Këshillin Bashkiak kanë falënderuar presidencën që ka ndërtuar një ekip cilësor. Gjithashtu ata kanë folur me superlativa edhe për trajnerin Elvis Plori, për punën e mirë që po bën me skuadrën. “Ne besojmë se këtë ekip do ta shohim në fund të kampionatit në Superiore. Së fundi, falënderojmë edhe lojtarët që po kontribuojnë”, – janë shprehur ndër të tjera këshilltarët, ndërsa shumë prej 3 milionë lekësh të rinj gjithnjë për futbollin është miratuar në unanimitet të plotë dhe pa shumë debate.