AlbanianSport.com 26.01.2015 19:55
ASNN – Tepelena e Ilir Selimit është duke vazhduar me intensitet të plotë përgatitjet e saj për fazën e dytë të Kategorisë së Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, i cili nis më 22 shkurt 2015. Sipas drejtuesve tepelenas kjo skuadër kishte planifikuar një ndeshje miqësore me Luftëtarin ditën e shtunë, por mungesa e disa lojtarëve titullar ka bërë që të anulohej kjo ndeshje. Por ende nuk konfirmohet se kur skuadra tepelenase do të zhvillojë ndeshjen e parë miqësore.
I pyetur nga gazetat sportive, kapiteni i Tepelenës, Pjerin Qori, ka dhënë opinionin e tij në lidhje me skuadrën e trajnerit Ilir Selimi. “Ndoshta skuadra po përgatitet në mënyrë mjaft të mirë nga trajneri Ilir Selimi, edhe pse moti na ka penguar, – ka deklaruar ai për gazetat sportive të ditës. – Megjithatë ne si skuadër e kemi gjetur kohën për t’u stërvitur. Kemi nevojë të zhvillojmë disa ndeshje miqësore, pasi deri në startin e fazës së dytë ka dhe një muaj kohë.”
“Unë si kapiten besoj shumë tek skuadra për t’u ngjitur në një kategori më lart, – ka vijuar futbollisti tepelenas. – Në fazën e dytë skuadra jonë do të tregohet akoma më e frikshme, sidomos në takimet në fushë të huaj. Kemi një skuadër që përbëhet me lojtarë me përvojë, si Gaba, Rustemi, Karamani, Xhafa. Por edhe ndonjë blerje, që drejtuesit mund të afrojnë në tregun e lëvizjeve të futbollistëve, mendoj se do ta përforcojnë këtë ekip më shumë.”
“Dhe si të tillë kundërshtarët do të dorëzohen përpara Tepelenës. Jemi një ekip që kemi financa të shëndosha, pasi kemi presidentin Tërmet Peçin (njëkohësisht kryebashkiaku i Tepelenës), i cili nuk kursehet për asgjë. Madje kemi dhe një grup drejtues, i cili punon me mish dhe me shpirt për realizimin e objektivit të skuadrës, që është ngjitja në Kategorinë e Parë”, – ka përfunduar kapiteni i Tepelenës, Pjerin Qori.