AlbanianSport.com 05.10.2014 07:55
ASNN – Tepelenasit u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve të tyre për ndeshjen e javës së dytë, atë me Orikumin në fushë të huaj. Në këtë ndeshje, Tepelenës do t’i mungojë kapiteni Qori, i cili në përballjen e parë me Përmetin ka dalë me karton të kuq. Por ajo që e plotëson skuadrën e Ilir Selimit është kthimi i Roland Gabës, ndërsa trajneri Ilir Selimi është optimist për marrjen e fitores.
“Ajo që është kryesore është fakti se e kemi nisur mbarë kampionatin, – ka theksuar trajneri tepelenas. – Na pret një ndeshje e vështirë jashtë ndaj Orikumit. Megjithëse unë e kam përgatitur skuadrën për të kërkuar fitoren. Me ardhjen e liderit Gaba do të ndryshojë dhe skuadra. Futbollistët janë të karikuar, por unë sidoqoftë kam respekt për Orikumin.”
“Por ne kërkojmë fitoren, sepse duam të ngjitemi në Kategorinë e Parë. Do të hedhim formacionin më të mirë, ndërsa kemi një skuadër të shëndoshë dhe nga ana financiare. Ndaj nuk e diskutoj fitoren dhe ngjitjen në Kategorinë e Parë, por duhet dhe një gjykim i drejtë”, – ka përfunduar trajneri i Tepelenës, Ilir Selimi.