AlbanianSport.com 30/01/2021 23:10
ASNN – Tenistët pjesëmarrës në Turneun e Hapur Australian, “Australian Open 2021” kanë dalë tashmë nga karantina dhe kanë nisur ndeshjet testuese. Organizatorët e turneut kanë deklaruar se ndeshjet do të ndiqen nga spektatorët. Do të jenë 25 mijë deri në 30 mijë tifozë në çdo ndeshje. Tenistët që tashmë kanë dalë nga karantina 2-javore, kanë nisur të shijojnë jetën normale. Serena Uilliamsi e çoi vajzën e saj në kopshtin zoologjik dhe Novak Gjokoviçi eci zbathur në një park.
Shtatë herë fituesja e “Australian Open”, Uilliams, e cila po kërkon për një titull më shumë Slam për të barazuar rekordin e Margaret Kourtit, me 24 syresh, i kaloi dy javët e saj të karantinës e shoqëruar me vajzën 3-vjeçare, Olimpian. “Jam shumë e lumtur që karantina ka mbaruar sepse të jesh në një dhomë me një 3-vjeçare dhe të jesh shoqja e saj më e mirë është padyshim e vështirë, veçanërisht pas stërvitjes” – tha Uilliams.
“Por ishte kënaqësi … sinqerisht nuk do të këmbeja asgjë për të kaluar orë me të”, – shtoi tenistja amerikane. Ditën e saj të parë të daljes nga karantina, Uilliamsi e dergoi vajzën e saj në kopshtin zoologjik. Ajo, Osaka, Ashleigh Barty e Simona Halep kanë zhvilluar edhe ndeshjet e para testuese për këtë vit. Nadali, i cili po synon një titull në Melbërn, për të thyer rekordin e Rozher Federerit, me 21 “Grend Slem”-e dukej në formën më të mirë teksa mundi fituesin e “US Open”, Dominik Tim në dy sete (7-5, 6-4).
Spanjolli pohoi se kishte qenë e vështirë të mendoje për tenisin për pjesën më të madhe të vitit 2020 për shkak të epidemisë së virusit korona, por shtoi: “Këtu jemi, për të filluar një vit tjetër … Jam i kënaqur që do të kthehem”. “Australian Open” do të fillojë në 8 shkurt 2021.