AlbanianSport.com 03/02/2020 19:45
ASNN – Sofia Kenin ka mahnitur gjithë opinionin pas fitores së Turneut të Hapur të Australisë në tenis, “Australian Open 2020”. Tenistja amerikane, e panjohur nga askush, erdhi, luajti dhe fitoi menjëherë titullin e saj të parë në turnetë madhorë, që njihen ndryshe si “Grend Slem”-e.
“Është thjesht një nder të kem emrin tim në atë trofe të bukur, është diçka për të cilën kam ëndërruar, – tha Kenini, me origjinë nga Moska. – Sigurisht që është një moment interesant për mua dhe për familjen time, e më duhet ta ndaj këtë. Padyshim që gjërat do të ndryshojnë për mua.”
“Por ne thjesht do të ecim përpara, të përgatitemi për turnet e ardhshëm. Tani për tani duam vetëm të festojmë”. Kenin, 21 vjeç, është kampionia më e re në Turneun e Hapur të Australisë në tenis, “Australian Open”, që nga koha kur Maria Sharapova, idhulli i saj, ishte 20 vjeç kur fitoi në 2008.