Albaniansport.net 20.01.2016 15:15
ASNN – Novak Gjokoviç po festonte në “Australian Open” një fitore të zakonshme të turit të dyte kundër francezit Kuentën Halis. Ajo që ndodhi më pas nuk ishte aspak e zakonshme për serbin.
Ai u pyet në një konferencë shtypi për aludimet e gazetës italiane “Tuttosport”, sipas të dhënave paraprake, që ai në 2007, në “Paris-Bercy”, në turin e parë kundër Fabris Santorosë humbi me dashje.
Në atë kohë Gjokoviçi 20-vjeçar ishte numri 3 i botës dhe u mposht nga Santoro (i 39-ti në renditjen e ATP-së) me shifrat 0-2 (3-6, 2-6). Sipas “Tuttosport”, duhet që të kryhet një hetim për këtë ndeshje.
Gjokoviçi tha që nuk e kishte lexuar artikullin. Por ai e kujtonte ndeshjen kundër Santorosë. “Unë humba, është e vërtetë, – ka deklaruar serbi. – Por mund të krijohet çdo herë një histori kur një lojtar i famshëm humbet?”
“Kjo është absurde, – ka vijuar ai. – Unë nuk kam çfarë të them më shumë për këtë çështje. Ky është një spekullim.” Por reporterët nuk e lanë të largohej aq thjeshtë. Numrit 1 të botës iu desh t’u përgjigjej plot shtatë pyetjeve për këtë çështje.
Ai përsëriste se fajësimi ishte i gabuar. Me të vërtetë, nuk dinte çfarë të thoshte më. “Por nëse dikush ka pyetje për ndonjë temë tjetër, jam gati për të diskutuar”, – përfundoi ai i zemëruar.