AlbanianSport.com 22/05/2019 17:25
ASNN – Pas dëmtimit që pësoi në turneun e Romës, Rozher Federeri konfirmon pjesëmarrjen në “Roland Garro”. 37-vjeçari zviceran rikthehet në Paris pas 4 vitesh mungesë. Ai së bashku me tenistët e tjerë kanë nisur stërvitjen në prag të nisjes së turneut francez. Kështu, Rozher Federer rikthehet në “Roland Garro”. Ai luajti për herë të fundit në turneun francez, në vitin 2015.
Më pas për arsye të ndryshme nuk mori pjesë. Ai është stërvitur për gati dy orë, në fushën “Filip Shatrier”, së bashku me argjentinasin Diego Shvarcman, kur kanë mbetur edhe 4 ditë nga nisja e turneut të dytë (“grend slem”-it) më të rëndësishëm të vitit, “Roland Garro”. Tenisti zviceran, hëpërhë i 3-ti në botë, fitues i turneut francez në vitin 2009, u tërhoq nga turneu i Romës pas një dimtimi.
Por gjatë stërvitjes me kundërshtarin argjentinas, fituesi i 20 turneve “Grend Slem”, nuk tregoi ndonjë shqetësim. Ndërkohë që fusha në “Filip Shatrier” është rikonstruktuar tërësisht që nga edicioni i fundit. Po aty në orare të ndryshme kanë nisur stërvitjen edhe Simona Halep, Kei Nishikori dhe Kristina Mladenoviç. Të gjithë po përgatiten për turneun e rëndësishëm “Roland Garro”.