AlbanianSport.com 20/05/2019 17:25
ASNN – Të dielën nis turneu më i rëndësishëm në terrenin me dhè të kuq, “Roland Garro”. Pas atij të Romës, tenistët udhëtojnë drejt Parisit për turneun francez. Të gjithë shikojnë pretendent kryesor për ta fituar atë, Rafael Nadalin, i cili ka triumfuar aty 11 herë. Pavarësisht humbjes në finalen turneut “Masters 1000” të Romës, Novak Gjokoviçi vazhdon të jetë numri 1 në renditjen botërore, një javë para nisjes së “Roland Garrosë”, ngjarjen më të madhe të sezonit, që luhet në fushën me dhè të kuq.
Ai kryeson renditjen me 12,355 pikë, plot 4,410 pikë më shumë se Rafael Nadal, i cili arriti të marrë 1,000 pikë pas fitimit të turneut të Romës, duke mbetur në vend të dytë me 7,945. Në vend të 3-të ndodhet Rozher Federer me 5,950 pikë, i ndjekur nga Dominik Tiem, me 4,845 pikë, Aleksandër Zverev, është i 5-ti, me 4,155. Kjo është në fakt renditja e tenistëve që ndodhen në 5 vendet e para në nivel botëror, përpara nisjes së turneut “Roland Garro”, që ngre siparin të dielën.
Nadali ka qenë veçanërisht i suksesshëm në këtë turne që luhet në fushë me dhè të kuq. Ai ka një rekord prej 57 fitoresh e 8 humbjesh në finalet e turneve të këtij terreni. Tenisti spanjoll e ka fituar 11 herë turneun francez dhe, për më tepër, Nadali asnjëherë nuk ka humbur 2 ndeshje radhazi në ndeshjet në këtë terren, gjatë gjithë karrierës së tij. Shumë kritikë të tenisit dhe lojtarë të mëdhenj e konsiderojnë atë si lojtarin më të madh dhe më të fortë të terrenit me dhe të kuq.
Nadal fitoi 5 tituj francezë radhazi, nga 2010 deri në 2014 duke u bërë lojtari i vetëm që e fiton 5 herë radhazi këtë turne.