AlbanianSport.com 03/01/2024 12:25
ASNN – Rafael Nadal është rikthyer në një ndeshje tenisi pas 348 ditësh. Dëmtimi i spanjollit ka qenë i rëndë, duke mbajtur jashtë aktivitetit për afro një vit. Në turneun e Brisbejnit, Nadali mposhti Dominik Timin në dy sete, me 37-vjeçarin i cili u shpreh i kënaqur për këtë sukses. Kështu, pas një viti mungesë, Nadali rikthehet me një paraqitje më se bindëse, duke mposhtur në dy sete (7-5, 6-1) austriakun dhe duke u kualifikuar kështu në turin e dytë të turneut në Brisbejn të Australisë.
Spanjolli, i ndalur nga problemet fizike që e detyruan t’i nënshtrohej një operacioni, kontrolloi një set të parë shumë të ekuilibruar dhe më pas të dytin e fitoi me lehtësi, falë rënies së energjive të kundërshtarit, në një ndeshje që zgjati më pak se një orë e gjysmë. Me fitoren e tij të 1069-të, Nadali “parakaloi” ish-numrin 1 të botës, Ivan Lendlin në tabelën e kryesuesve të të gjitha kohërave. Vetëm Xhimi Konors, me 1274, Rozher Federeri me 1251 dhe Novak Gjokoviçi me 1088 fitore, mbeten përpara spanjollit.
Pas fitores, Rafael Nadal do të thoshte fjalët e para, duke shprehur kënaqësinë për rikthimin: “Pata rastin të kthehem pas një viti dhe të luaj përballë një publiku fantastik. Sinqerisht, sezoni i kaluar jashtë turneut ishte ndoshta viti më i keq i jetës sime. Para ndeshjes isha nervoz sepse nuk e dija se në çfarë gjendja isha. Mendoj se luajta mjaft mirë dhe dashuria e publikut më bën vërtetë të lumtur”, – ka përfunduar tenisti spanjoll, Rafael Nadal