AlbanianSport.com 15/02/2021 22:25
ASNN – Fabio Fonjini nuk ka mundur të kalojë në çerekfinalet e Turneut të Hapur të Australisë të Tenisit “Australian Open 2021”. Ai shtë mundur 3-0 nga numri 2 në botë, Rafael Nadal me sete, 6-3, 6-4, 6-2. Ka qenë një ndeshje mjaft e mirë e tenistit spanjoll, që arriti ta kthejë ndeshjen në favorin e vet. Kjo është fitorja e 13-të e Nadal ndaj Fonjinit, në ndeshjet direkte, si dhe çerekefinalja e 13-të në turneun australian për spanjollin.
Ndërsa nuk e ka luajtur fare ndeshjen e tij, në turin e 16-shes, Mateo Berretini kundër Stefanos Cicipas. Tenisti italian është tërhequr nga ndeshja, për shkak të dhimbjeve në bark. Cicipas kualifikohet për më tej, dhe në çerekfinale do të përballet me Nadalin. Në çerekfinale kanë kaluar edhe Medvededi dhe Rublevi. Të dy tenistët rusë kanë eliminuar MekDonaldin dhe Ruudin.
Tek femrat, Eshli Barti ka mundur Shellbi Roxhersin, 2-0 me sete (6-3, 6-4). Në çerekfinale, Barti do të përballet me tenisten çeke, Muçova. Kjo e fundit ka djersitur shumë për të eliminuar belgen Elisë Mertens, teksa ka fituar 2-0 me sete (7-6, 7-5). E papritura e ditës ka qenë eliminimi i numrit 5 në botë, Elina Svitolina. Tenistja ukrainase është mundur 2-1 nga Xhesika Pegula.
Për të është hera e parë që kualifikohet në çerekfinalet e një turneu madhor. Kundërshtarja e saj do të jetë Xhenifer Bradi, që ka eliminuar Dona Vekiçin.