AlbanianSport.com 09/08/2021 22:05
ASNN – Nadal nuk është më midis 3 më të mirëve në botë, tenisti spanjoll zbret në vendin e 4-t të renditjes së ATP-së. Kthimi në normalitet i kalendarit të ATP, pas minimizimit të ndeshjeve për shkak të epidemisë së virusit “Covid-19”, ka sjellë pasojat e para në renditjen botërore të tenistëve.
Rafael Nadal largohet nga 3-shja e më të mirëve më në botë, duke mbetur prapa në renditje kundrejt kryesuesit Novak Gjokoviç. Tenisti serb kryeson renditjen e ATP-së me 12,113 pikë. Ai e thellon kështu me 2,500 pikë hendekun me Daniil Medvedevin e vendit të dytë. Ky i fundit humbi 600 pikët e arritura si finalist në turneun “Masters” të Kanadasë në 2019 dhe mbetet në vendin e dytë me 9.643 pikë.
Diçka e ngjashme me Medvedevin i ndodhi edhe Rafael Nadalit, i cili këtë javë zbret nga vendi i 3-të në të 4-tin, me 7,315 pikë pasi hoqi dorë nga 1.000 që arriti si kampion i “Masters”-it kanadez në 2019-ën. Nga rënia e Nadalit përfiton Stefanos Cicipas, i cili këtë javë kalon në vendin e 3-të me 8,115 pikë.
Largimi i Nadalit nga 3-shja e parë është i vetmi lajm i rëndësishëm për këtë javë në tenisin botëror.