Gjergj Vyshka 22.01.2016 11:15
Nga Melbërni është eliminuar dhe Hojd nga Ferrer, kurse sot spikat sfida e italianit Sepi ndaj numri një të botës Xhokoviç. Deri më tani në 11 ndeshje gjithnjë ka fituar serbi. Endi Mërrej i bashkohet Novak Xhokoviçit dhe Rozher Federerit në turin e tretë të Turneut të Hapur “Australian Open 2016” në Melbërn, turne që mbyllet më 31 janar. Tenisti britanik mposhti në ndeshjen e tij të radhës në këtë veprimtari Sem Grothin, me rezultatin 3-0.
Ishte një fitore e lehtë kjo e numrit 2 të botës, i cili e mbylli shumë shpejt këtë takim. Seti i parë nuk kishte histori, pasi Mërrej e fitoi atë pastër, 6-0. Në setin e dytë Groth bëri më shumë rezistencë, por britaniku e mbylli edhe këtë fraksion në favor të tij 6-4, ndërsa setin e tretë e mbylli 6-1. Kundërshtari i radhës për Mërrejin do të jetë portugezi Zhoao Souza. U kualifikuan për në turin tjetër edhe Monfils e Xhon Isner, të cilët mundën përkatësisht Mahut dhe Granolers.
Në kampin e femrave, Azarenka dhe Muguruza vazhdojnë të shfaqen në një formë shumë të mirë, duke u kualifikuar pa shumë probleme për në turin e tretë të “Australian Open 2016”. Tenistja bjelloruse u përball në turin e dytë me malazezen Danka Koviniç, ndaj së cilës iu deshën vetëm 63 minuta lojë për të mbyllur këtë takim në 2 sete (6-1 dhe 6-2). Spanjollja Muguruza u kualifikua për në raundin e tretë pasi mposhti Flipkens me rezultatin 2-0.
Numri 3 i botës e kontrolloi mjaft mirë këtë sfidë, setet e së cilës i mbylli 6-4 dhe 6-2. Një vend në turin e tretë siguroi edhe Ana Ivanoviç, e cila mundi 2-0 letonezen Sevastova. Sot, Andrea Sepi, pasi ka eliminuar njëri pas tjetrit Gabashvilin e Kudla, do të përballet me numrin një të botës, Novak Xhokoviç. Në 11 ndeshje të luajtura mes tyre serbi gjithnjë ka qenë fitues ndaj 31-vjeçarit italian. Ndërsa Hojdi është mundur në tre sete nga Ferreri dhe i ka dhënë fund turneut të Melbërnit.