AlbanianSport.com 26/01/2024 14:20
ASNN – Do të jetë një duel italo-rus finalja e së dielës për meshkuj në turneun e madh të tenisit “Austrialian Open”, pasi Janik Sineri do të sfidojë Danil Medvedevin. Fitorja e Jannik Sinner ndaj Novak Gjokoviçit në “Australian Open 2024” do të mbetet në histori për një seri shumë të gjatë arsyesh. Së pari, 22-vjeçari nga Sesto Pusteria është italiani i parë që arrin në finale në Melbërn, por jo vetëm kaq: është akti i parë final i një “Grend Slem”-i në karrierën e tij të re, por tashmë të suksesshme.
6-1, 6-2, 6(6)-7, 6-3 me serbin që i duhet të ndërpresë një sërë suksesesh që kishin zgjatur për të në këtë turne për 33 ndeshje dhe që nga viti 2018, e për më tepër nuk ishte mundur kurrë në gjysmëfinale apo finale. Vetëm këto shifra mjaftojnë për ta bërë të qartë suksesin e italianit që arrin të mundë numrin një në botë. Janik Sinner bën të ëndërrojë të gjithë Italinë. Në finale ai do të përballet me fituesin e çiftit Medvedev-Zverev, që u luajt më vonë e u fitua nga tenisti rus me një përmbysje të pabesueshme.
Ishte Zverevi që i fitoi dy setet e para, 7-5 dhe 6-3, duke krijuar idenë e një fitoreje të lehtë. Por Medvedevi ka reaguar në një set të 3-të vendimtar, të fituar me “tajbrejk” 7-6, ashtu sikundër bëri edhe në setin e 4-t, duke barazuar kështu gjendjen e seteve në 2-2. Me ritmin e lojës që tashmë ishte kthyer në favor të tij, tenisti rus vijoi ta fitonte edhe setin e 5-të dhe të fundit, 6-3, dhe gjithë ndeshjen me shifrat 3-2 dhe duke siguruar vendin në finalen e madhe të së dielës, që do të ulë edhe siparin e “Australian Open” për këtë vit.